U mbajt Mbledhja e VII-të e Kuvendit Komunal të Prishtinës

- 01 Dec 2016

Sot Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës mbajti mbledhjen e shtatë për këtë vit. Në fillim, me kërkesë të grupit të asambleistëve të VETËVENDOSJE!-s, Kuvendi Komunal i Prishtinës e nisi mbledhjen me një minutë heshtje në nderim të aktivistit Astrit Dehari. Astriti përveç që njihej si aktivist i denjë i VETËVENDOSJE!-s dhe student i dalluar i mjekësisë, ishte një nga shtyllat kryesore të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunë, dhe nga më meritorët për rregullimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Në këtë seancë, mes 11 pikave të rendit të ditës, më së shumti diskutim nxiti raporti nëntëmujor buxhetor janar-shtator. Kryetari Ahmeti bashkë me drejtorët e kabinetit iu përgjigjën asambleistëve në pyetjet që kishin për çështjet e shpenzimeve, si dhe kërkuan që për çdo paqartësi që kanë të dalin në terren bashkë me ekzekutivin dhe ta shohin secilin investim që e ka bërë Komuna e Prishtinës. Ahmeti ndër të tjera theksoi se ka kërkuar nga Thesari i Shtetit që secilën faturë, të secilit institucion, ta bëjë publike, në mënyrë që edhe institucionet e tjera të jenë transparent porsi Komuna e Prishtinës.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe morën votën e asambleistëve propozimvendimet për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës për Qendrën e Arteve të Kosovës, Kuvendin e Motrave të Shën Kryqit, Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, si dhe propozimvendimi për këmbim të një prone të paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personave fizik.
Pas diskutimeve lidhur me planin e vendosjes së qoshqeve dhe për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës për shfrytëzim afatshkurtër për qoshqe, u vendos që këto dy pika të shtyhen për një nga mbledhjet e radhës.