Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci merr pjesë në diskutimin publik "Korrupsioni në arsim"

- 12 Dec 2016

Në kuadër të “Javës kundër-korrupsion”, të mërkurën, me datë 7 dhjetor 2016, është mbajtur diskutimi publik "Korrupsioni në arsim”, organizuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë. Për të diskutuar për këtë dukuri, në panel ishte e ftuar edhe Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit të Prishtinës, znj. Arbërie Nagavci.
Ajo foli jo vetëm për format dhe shkaqet e ndryshme të korrupsionit në arsim, për pasojat që këto sjellin dhe dëmet që po i shkaktohen arsimit si proces, e dëshmuar ndër të tjera edhe në raportin e publikuar një ditë më parë nga “PISA” , por ndau me të pranishmit edhe përvojën e saj dhe masat që Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka marrë si për luftimin e korrupsionit në arsim, ashtu edhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Komunën e Prishtinës, duke aplikuar një transparencë të plotë dhe llogaridhënie në të gjitha proceset, duke përcaktuar dhe respektuar kritere të sakta, si në procesin e rekrutimit të stafit edukativo – arsimor, monitorimin e proceseve dhe punës në shkolla, regjistrimin në shkolla dhe institucionet parashkollore, analizën dhe publikim e rezultateve të suksesit etj.
Zonja Nagavci deklaroi se të luftosh korrupsionin në arsim nuk është një mision i pamundur, mund të jetë betejë e vështirë, por me vullnet dhe angazhim të secilit mund të fitohet, Kryetari Shpend Ahmeti është shembulli më i mirë se Komuna e Prishtinës tashmë është model i qeverisjes ku nuk ka asnjë aferë korruptive, andaj secili prej nesh duhet të vazhdojmë këtë luftë në secilën hallkë të arsimit dhe në secilin nivel të vendit, sepse beteja kundër korrupsionit në arsim sot, është një ndër parakushtet jo vetëm për arsim cilësor, por edhe për zhvillim të përgjithshëm ekonomik e shoqëror të vendit.