- 15 Dec 2016
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mori pjesë si panelist në debatin për transparencë, në kuadër të fushatës "Po du me e ditë", organizuar nga Kosovo 2.0.
Në fjalën e tij Kryetari Ahmeti tha se Kosova e ka mbase legjislacionin ndër më të mirin në rajon, sepse i ka kopjuar ligjet më të avansuara, mirëpo zbatimin e tyre e ka gati se në minimum, që e bën Kosovën vështirë të quhet vend demokratik. Ai tha se sa i përket llogaridhënies, ashtu se si duhet edukuar pushtetarët, duhet edukuar edhe qytetarët, të cilët zakonisht kërkojnë informata për çështje personale, por jo për ato të përgjithshme.
"Llogaridhënia është fundament i demokracisë dhe ka llogaridhënie politike, administrative dhe llogaridhënie ligjore", vazhdoi më tutje Ahmeti. Ai tregoi se Komuna e Prishtinës është institucioni më i monitoruar në Kosovë, si nga mediat, poashtu edhe nga shoqëria civile dhe institucionet ligjore.
Ahmeti shpjegoi se si Komuna e Prishtinës po ndërton sistem të qytetarisë aktive, përfshirë këtu edhe transparencën dhe e ilustroi këtë me faktin se vetëm në vitin 2015 janë organizuar 51 dëgjime publike, edhe pse obligim ligjor janë vetëm 5 dëgjime për buxhet dhe nga një të përgjithshëm çdo 6 muaj. Poashtu ai përmendi edhe platformat digjitale të ndërtuara, në të cilat qytetarët mund ta lajmërojnë korrupsionin, të njoftojnë për problemet në lagjet e tyre, si dhe inspektorin elektronik, ku mund të lajmërohet mbi shkeljet e ndryshme.
Në fund Kryetari Ahmeti kërkoi që edhe organizatat e shoqërisë civile të participojnë më tepër në proceset e prokurimit, në procesin e ndarjes së banesave dhe procese të tjera, sepse në këtë mënyrë i kontribuojnë zhvillimit të drejtë të këtyre proceseve.