Komuna e Prishtinës ka zgjedhur sportistin e vitit

- 30 Dec 2016

Komunën e Prishtinës përzgjodhi sot sportistet dhe sportistët më të mirë për vitin 2016. Në manifestimin e mbajtur në objektin e Komunës, Kryetari Shpend Ahmeti falënderoi të gjithë ata që kontribuuan dhe po kontribuojnë në vazhdimësi për sportin në qytetin e Prishtinës.
 
Komisioni i përbërë kryesisht nga gazetarët e sportit, kishte bërë përzgjedhjen e sportisteve dhe sportistëve më të dalluar të këtij viti si për moshat madhore, ashtu edhe për gjeneratat e reja që janë shpresa e sportit të këtij qyteti.  Si sportistë të rinj që premtojnë shumë në të ardhmen u përzgjodhën Dardan Cena (KXh Polici), Rinor Peci (KB Sigal Prishtina), Bleron Sekiraqa (FC Prishtina), Lirika Deva (KS Prishtina) dhe Dafina Kameri (KXh Prishtina). Çmim për vepër të veçantë në sport mori z. Ali Latifi, kurse çmimin e veçantë për kontributin  e dhënë në promovimin e sportit paraolimpik e mori sportistja Medina Surdulli.
 
Pedagogët sportiv për vitin 2016 u veçuan Valon Nikqi nga arsimi fillor dhe Rexhep Hani nga ai i mesëm. Si ngjarje kryesore sportive në Komunën e Prishtinës për vitin që po e lam pas u dallua gjysmëmaratona.
Mirënjohje pranuan edhe Anton Cena si veteran i vitit; Besim Brahimi si punëtori më i dalluar sportiv; Latif Demolli si gjyqtari më i dalluar; Shoqata e Kulturës Fizike dhe Sportit; si dhe Shqipe Zogiani si trajnerja më e dalluar. KB Sigal Prishtina u zgjedh si klubi i vitit, bashkë me tifozët e tyre Plisat që morën çmimin si tifozët e vitit 2016.
 
Sportistët e tjerë të dalluar për vitin 2016 janë:
 
10. Nderim Saraqi (KSh Expik);
9. Zerina Shatri (KBF Prishtina);
8. Valon Nikçi (Prishtina Volley);
7. Burneta Rama (KHF Prishtina);
6. Endrit Krasniqi (FC Prishtina);
5. Melisa Zhdrella (KN Termopan);
4. Diellza Dragusha (KK Bardhoshi);
3. Edmond Azemi (KB Sigal Prishtina);
2. Donjeta Sadiku (KBox Gollaku)
 
Bazuar në vlerësimet e komisionit, sportist i vitit në Komunën e Prishtinës u zgjodh Herolind Nishevci nga (KK Ippon), kurse çmimin special e mori kampionja olimpike, Majlinda Kelmendi.