- 26 Nov 2014
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu së bashku me Drejtorin e Shërbimeve publike, Ardian Gashi dhe udhëheqësin e sektorit për shërbime publike, Habib Qorri, mbajtën diskutimin e dytë me taksistët e Prishtinës lidhur me draftrregulloren për shërbimin e taksive në Prishtinë.
Të pranishmit u shprehën mirënjohës që për herë të parë iu jepet mundësia të shprehin sugjerimet, brengat, vërejtjet e tyre për një draftrregullore, para se ajo të miratohet në Kuvendin Komunal.
Kësaj radhe, taksistët e pranishëm paraqitën sugjerimet e tyre pas informimit që morën nga takimi i parë lidhur me draftrregulloren për shërbimin e taksive. Çështja kryesore ishte përmbushja e standardit “Euro 4” që përcakton vitin e prodhimit të një makine, në këtë rast që vetura mos të jetë më e vjetër se sa 10 vite.
Ata kërkuan që në rregullore për taksitë të përfshihen edhe taksitë familjare, 5 + 2 ulëse e jo vetëm 4 + 1. Njëkohësisht, të pranishmit kërkuan që shoqatat e taksive mos të jenë obligative, si dhe taksistit t’i jepet mundësia që të jetë pronar i licencës me të drejtë që ta shesë atë në rastet kur nuk mund të vazhdojë punën më si taksist.
Kërkesë tjetër që u diskutua ishte edhe vendparkimi dhe vendqëndrimi i taksive. Të pranishmit kishin ankesa të shumta me taksistët ilegal. Lidhur me këtë, ata kërkuan shtimin e masave të inspektorëve, përkushtim më të madh të policisë së Kosovës, për të cilën thanë se duhet të jetë më efikase për ta zbatuar ligjin.
Njëkohësisht, kërkesë e tyre ishte që të formohet një komision në të cilin do të ishin të përfshira të gjitha institucionet relevante, ndërsa pjesë përbërëse do të ishin përfaqësues të shoqatës së autotaksive, radiotaksive dhe sindikalistëve.
Ndërsa, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se kryeqytetit i duhet një rregullore për taksitë, ndërsa që të gjithë duhet të pajtohemi standardet minimale që janë duke u diskutuar. Ai tha se është e rëndësishme që mos të nisemi asnjëri vetëm nga interesi i ngushtë individual, por që bashkërisht të angazhohemi për të mirën e përgjithshme. Sipas tij, nuk duhet të shikohet vetëm interesi, por edhe rregulli në kryeqytet.
“Ne do t’i investojmë afër 15 milionë euro prej të cilave 10 milionë do të jenë kredi, ndërsa 5 milionë nga buxheti i Komunës së Prishtinës për autobusë. Ky projekt do të fillojë në janar të vitit 2015. Të gjithë autobusët që do të operojnë në Prishtinë, do ta kenë për detyrë ta plotësojnë një standard minimal. Pra, edhe në rastet e taksive, duhet të kemi pajtueshmëri për të përmbushur standardet minimale. Nuk mund të diskutojmë për operimin si taksist në Prishtinë, pa u plotësuar disa standarde minimale. E se si i përcaktojmë standardet minimale, atëherë kjo mund të jetë pjesë e diskutimit. Ne si Komunë dhe ju si përfaqësues të taksive, të ulemi dhe ta diskutojmë modelin. Por, duhet ta keni parasysh se ne si Komunë jemi të gatshëm të ofrojmë edhe licencë 5 vjeçare dhe ju do të jeni të obliguar vetëm ta mirëmbani standardin për të cilin jeni pajisur me leje”, tha Sejdiu.
Ai u shpreh se si qeverisje komunale jemi të interesuar që bashkërisht të ndërtohet një rregullore e cila i jep siguri taksistëve sepse do të kenë leje për 5 vite si dhe kryeqyteti do të ketë standarde të reja të pranueshme
“Nëse e lexoni me vëmendje draftrregulloren ju do ta shihni se ata që i plotësojnë kushtet për të operuar si taksistë, ne si komunë jemi të gatshëm edhe t’i stimulojmë”, tha ai.
Sipas Nënkryetarit Sejdiu, me rëndësi është që të përgatisim një rregullore që do të hynte në funksion nga viti 2015, në të cilin do të punonte një grup punues në mënyrë që të ndërtohet një rregull që do të funksionojë në periudha afatgjate.
Që të gjithë të pranishmit ishin të pajtimit për formimin e grupit punues, andaj rrjedhimisht takimi i parë i këtij grupi do të mbahet gjatë javës së ardhshme.