- 11 Jan 2017
Dorëzimi i 15 autobusëve të rinj sot në Prishtinë shënon fillimin e një epoke të re për transportin urban në kryeqytetin e Kosovës. Autobusët e rinj do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve më komodë të transportit urban, njëkohësisht duke pasur konsideratë për mbrojtjen e mjedisit.
Në qershor 2016, BERZH kishte nënshkruar një marrëveshje të huas për ndërmarrjen publike të transportit Trafiku Urban në vlerë deri në 10 milion Euro për të mundësuar blerjen e 51 autobusëve dizel që i plotësojnë standardet e emetimit Euro 6. Huaja ishte garantuar plotësisht nga qeveria, e përfaqësuar nga Ministria e Financave.
15 autobusët e parë në kuadër të këtij projekti u dorëzuan sot dhe do të fillojnë mbulimin e linjave përkatëse në lindje dhe veri-lindje të Prishtinës. Dorëzimi i autobusëve të parë është shënuar me një ceremoni në Prishtinë ku mori pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti; Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Ivo Šilhavý; Zëvendës Drejtori i BERZH për Infrastrukturë Komunale dhe Mjedisore Lin O’Grady dhe Udhëheqësja e BERZH për Kosovë Elena Petrovska.
Kryetari Ahmeti deklaroi se “Vënia në operim e këtyre autobusëve shënon fillimin e një reforme të konsiderueshme në transportin urban në Prishtinë. Autobusët do të ofrojnë shërbime të qëndrueshme dhe modern për qytetarët tanë dhe do të ndikojnë në reduktimin e konsiderueshëm të ndotjes. Ky është investimi i parë publik komunal i BERZH në Kosovë. Huaja për blerjen e autobusëve do të plotësohet edhe me grante për asistencë teknike.“
Në emër të BERZH, znj. O’Grady dhe znj. Petrovska u shprehën të kënaqura me fillimin e implementimit të projektit të parë komunal të BERZH në Kosovë. Projekti gjithashtu përfshin edhe prezantimin e kontratave për shërbime publike të bazuara në performancë si dhe zhvillimin e një plani të qëndrueshëm të mobilitetit urban, që ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të komunës.
Huaja sovrane e BERZH për Trafikun Urban është mbështetur me një donacion nga Republika Çeke në vlerë prej 600,000 Euro për përgatitjen dhe implementimin e projektit si dhe për zhvillimin e planit të qëndrueshëm të mobilitetit urban për qytetin e Prishtinës. z. Šilhavý, Ambasador i Republikës Çeke në Kosovë deklaroi se “Transporti Urban i mirëfilltë dhe që merr parasysh edhe mbrojtjen e mjedisit mundëson zhvillimin e një jete të shëndoshë në qytet njëlloj sikurse qarkullimi i gjakut dhe frymëmarrja mundësojnë jetesën e çdo qenie të gjallë. Unë jam shumë i kënaqur që transporti urban në Prishtinë është duke u transformuar në një sistem modern. Republika Çeke është duke mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Kjo do të thotë jo vetëm mbështetje politike por edhe mbështetjen për qytetarët e Kosovës për përmirësimin e standardit të tyre të jetës. Duke iu falënderuar investimit nga BERZH, autobusët e rinj do të vendosen në operim menjëherë. Më pak ndotje dhe zhurmë, më shumë qëndrueshmëri dhe komoditet – ky është mesazhi që sjellin këta autobusë të rinj.”
Flota e re e autobusëve dizel do të do të reduktojë në masë të konsiderueshme ndotjen e ajrit dhe zhurmës në qytet. Autobusët e rinj gjithashtu do të përmirësojnë qëndrueshmërinë, sigurinë dhe cilësinë e transportit publik si dhe do të rrisin efikasitetin operacional. Autobusët e vjetër do të largohen nga përdorimi gradualisht me futjen ne përdorim të autobusëve të rinj.
Strategjia e BERZH në Kosovë është e fokusuar në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, përmirësimin e klimës për investime si dhe përmirësimin e infrastrukturës publike dhe adresimin e mangësive në sektorin e energjisë. Këto synime janë pjesë integrale e procesit të integrimit të Kosovës në BE.
BERZH ka filluar investimet në Kosovë në vitin 1999. Deri më tani, Banka ka nënshkruar 51 projekte në Kosovë me vlerë të përgjithshme prej rreth 220 milion Euro. Kosova është bërë anëtare e BERZH dhe shtet i operimit në dhjetor të vitit 2012.