- 27 Nov 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale, “Termokos”, Arsim Janovën, kanë mbajtur një konferencë për media me rastin e fillimit të ngrohjes përmes projektit të koogjenerimit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se kishte pengesa në këtë projekt që nga fillimi i realizimit, duke përfshirë çështjet teknike, pasi që termocentralet nuk kanë qenë të dizajnuara për koogjenerim, mirëpo sipas tij, tashmë problemet më të mëdha janë tejkaluar.
“Si Kryetar i Komunës së Prishtinës jam tepër i lumtur për ata qytetarë që janë të lidhur me ngrohtoren e qytetit sepse do të kemi ngrohje më cilësore, e cila do t’ia kursejë edhe energjinë elektrike Kosovës në përgjithësi. Por, siç e thashë me rëndësi është që të kemi ngrohje, jo siç ka qenë gjatë viteve të kaluara me lëndën e mazutit, i cili përveç kostos së lartë, shkaktonte edhe ndotjen e ambientit dhe natyrisht nuk ka pasur as mjete financiare që ta përballojmë ngrohjen 24 orë, e cila tashmë mund të jetë realitet përmes projektit të koogjenerimit”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se ky do të jetë një dimër më i lehtë sa i përket ngrohjes për ata qytetar të cilët do të ngrohen përmes “Termokos"-it.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli gjatë kësaj konference tha se uron që faza testuese e projektit të koogjenerimit të kalojë me sa më pak probleme.
Ministri tha se përmes këtij projekti arrihet kursimi i shpenzimeve të energjisë elektrike, përmbushja e kritereve ambientale, si dhe do të ofrojë ngrohje më kualitative për qytetarët e Komunës së Prishtinës, duke e zgjeruar në të ardhmen rrjetin e ngrohjes në kryeqytet.
Arsim Janova, Drejtor i ndërmarrjes komunale “Termokos tha se ky është një projekt tepër i rëndësishëm që do t’ju sigurojë qytetarëve ngrohje të mjaftueshme dhe kualitative dhe se është dashur mund dhe përkushtim që të arrihet deri në këtë fazë, me përkrahje të institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Janova po ashtu tha se fillimisht kapacitetet do të jenë më të vogla për shkak se konsiderohet si fazë testuese, mirëpo gjatë ditëve në vijim ngrohja do të plotësojë mjaftueshëm kërkesat e qytetarëve që janë të kyccur në rrjetin e ngrohtores së "Termokos"-it.
Projekti i koogjenerimit ka për qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës, nëpërmes sjelljes së ujit të ngrohtë nga Termocentrali Kosova B. Ky projekt do të sigurojë qëndrueshmërinë e ngrohjes, konsiderohet se do të ulë shpenzimet operacionale, ndikon në një ambient më ekologjik, krijon mundësinë për zgjerimin e rrjetit dhe kyçjeve të reja.