- 16 Jan 2017
Sot, më16 janar, në Komunën e Prishtinës, në të gjitha shkollat e nivelit të arsimit parauniversitar ka filluar procesi edukativo –arsimor (gjysmëvjetori i dytë) i vitit shkollor 2016/17.
Drejtoria e Arsimit, në kohë optimale ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për një proces të mbarë shkollor, duke krijuar kushte të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Drejtoresha e Arsimit znj. Arbërie Nagavci dhe zyrtarët e arsimit realizuan disa vizita në shkollat e Prishtinës, për të informuar nga afër me përgatitjet e bëra për fillimin e procesit mësimor.
Po ashtu, znj. Nagavci së bashku më Ministrin e Arsimit z. Arsim Bajramin, realizuan vizitë edhe në shkollën fillore “Iliria” ku i uruan nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollës një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Drejtoria e Arsimit, në funksion të ngritjes dhe përmirësimit të cilësisë në arsim, gjatë pushimit dimëror ka realizuar takime me aktivet e drejtorive të shkollave të Komunës së Prishtinës, duke analizuar suksesin e gjysmëvjetorit të parë si dhe rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar të PISA-së, duke propozuar sugjerime dhe rekomandime për tejkalimin e sfidave të paraqitura.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe është formuar ekipi për ngritjen e cilësisë në arsim në nivel komune dhe njëkohësisht është përgatitur dokumenti dhe janë planifikuar takime me aktivet profesionale (seksionet) të shkollave ku do të mobilzohen në kryerjen e punëve dhe detyrave me përgjegjësi në funksion të ngritjes së cilës në arsim.