- 20 Jan 2017
Komuna e Prishtinës, së bashku me kompanitë, të kontraktuara nga BERZH, Mott MacDonald dhe Grant Thornton po përgatisin Planin e Qëndrueshëm të Lëvizshmërisë Urbane (ang. SUMP). Në këtë mënyrë, do të kuptojmë problemet aktuale dhe do të identifikojmë zgjidhjet e mundshme ashtu që qyteti tu sigurohet qytetarëve të kryeqytetit lëvizshmëri që lehtëson jetën në kryeqytet si dhe sigurohet një transport publik modern, i qëndrueshëm dhe funksional.
Ky plan do të bëhet me përfshirjen e qytetarëve dhe grupeve të interesit në procesin e vendimmarrjes, zbatimit dhe vlerësimit. Do të përfshihet një gamë e gjerë e grupeve të interesit në qytet, si për shembull të rinjtë, lagjet e qytetit dhe komuniteti, sektori i biznesit, dhe ekspertët e fushës.
Praktikat dhe politikat e transportit, shfrytëzimit të tokës, mjedisit, zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe shëndetit, të cilat zbatohen nga niveli lokal dhe qendror, do të integrohen mes vete. Me balancimin e zhvillimit ekonomik, barazisë sociale dhe cilësisë mjedisore, përmes këtij plani do të sigurohet një sistem i qëndrueshëm i lëvizshmërisë në Prishtinë.
Deri në fund të verës së këtij viti, studimi do të përqendrohet në disa detyra kryesore, siç janë:
- Kuptimi i problemit të lëvizshmërisë urbane dhe sfidat e qytetit – do të bëhen 3000 anketa ashtu që ta kemi pikëpamjen e qytetarëve në këtë fushë, dhe ky process fillon në muajin Shkurt;
- Ndërtimi i një vizioni të ri për lëvizshmërinë urbane dhe kornizën me politike mbështetëse;
- Identifikimi i zgjidhjeve të lëvizshmërisë urbane dhe propozimet për qytetin;
- Zhvillimi i SUMP-it, me një plan të veprimit për secilën fazë;
- Konsolidimi i instrumenteve për monitorim dhe vlerësim të planit në vazhdimësi.
Një studim dhe plan i tillë po bëhet për herë të parë, dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kryeqytetin, pasi që do të vendosë bazë të fuqishme për rregullimin e transportit.