- 28 Nov 2014
Gjatë ditë sot u mbajt Tryeza me prodhuesit e kompanitë shqiptare pjesëmarrëse në Panairin "Blej Shqip"
Në qendër të këtij takimi ishin përfaqësuesit e bizneseve shqiptare të cilët kërkuan që këto iniciativa të jenë më të shpeshta dhe të përkrahen dhe stimulohen bizneset vendore.
Kryetari Shpend Ahmeti, tha midis të tjerash se është e rëndësishme të diskutohet për politikën e zhvillimit ekonomik të kombit tonë dhe se është lajm i mirë zotimi i Ministrit Ahmetaj dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që barrierat tarifore dhe procedurale të mënjanohen plotësisht dhe të kemi një integrim të plotësuar të tregut që do të mundësonte të shesim dhe të blejmë pa tarifa përbrenda hapësirave të kombit shqiptar.
Panairi “Blej Shqip”, sipas Kryetarit Ahmeti vuri në dukje edhe interesimin e madh të vizitorëve për prodhimet shqiptare dhe se në bashkëbisedim me bizneset e pranishme, ai tha se ata ishin jashtëzakonisht të kënaqur.
“Sot në panairin Blej Shqip, biseduam me shumë prodhues. Njëri prej tyre, prodhues i mjaltës më tregoi se kishte shitur 300 kilogram mjaltë për këto dy ditë të panairit. Na tha "na keni nxjerrë prej krizës”. Paramendoni tash shumë biznese të tilla që nuk shesin vetëm një ditë por gjatë tërë vitit. Sa njerëz do t'i punësonin dhe çfarë rritje do të kishim. Me shumë pak ndihmë të shtetit mund të arrihet shumë, prandaj nuk kemi shumë kohë të presim”, tha Ahmeti, i cili shtoi se politikat duhet të ndryshojnë në gjithë kombin drejtë promovimit të prodhimeve shqiptare për zhvillim e punësim.
Drejtuesi i Kabinetit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjeve, Etjen Xhafaj tha se për Shqipërinë, Kosova mbetet treg shumë i rëndësishëm. Ai tha se tashmë Shqipëria ka kaluar nëpër një proces të specifikimit të ekonomisë dhe se mbetën të angazhuar që bilanci tregtar me Kosovën të rritet më shumë në të ardhmen. Ai po ashtu paraqiti hapat konkretë që ka ndërmarrë tashmë Qeveria e Shqipërisë dhe Ministria në drejtim të hartimit të një politike që transformon bilancin tregtar Shqipëri-Kosovë. Xhafaj paraqiti detajet e studimit që po realizohet me mbështetjen e Universitetit të Harvardit në këtë drejtim.
Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, shprehu brengën se Kosova aktualisht konsumon më shumë produkte nga Serbia, Maqedonia, Bosnjë dhe Hercegovina, se sa nga Shqipëria. Po ashtu, edhe Shqipëria konsumon më shumë produkte me prejardhje nga Maqedonisë. Abdixhiku tha se ky panair është një nismë e mbarë që do ta transformojë jo vetëm mendimin e konsumatorit për prodhimet shqiptare, por edhe bizneset dhe politikat e shteteve respektive.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se panairi “Blej Shqip”, i cili u organizua për herë të parë në mënyrë të shkëlqyer nga dy institucione, nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjeve, vuri në pah domosdoshmërinë emergjente të zhvillimit të tregut në trojet shqiptare.
“Nga bizneset nga Shqipëria që sot ishin prezent në panairin “Blej Shqip”, 60 % e tyre sot ishin në Kosovë për herë të parë. Ky është një tregues që ne nuk e dimë se çfarë prodhojmë, nuk e njohim tregun e njëri tjetrit dhe ky është problemi më i madh”, tha Minxhozi.
Minxhozi deklaroi se duhet të përqendrohemi në bashkim kombëtar ekonomik dhe të shembim kufijtë që kemi në mendje, kufijtë imagjinar. Sipas tij, shumë prej vizitorëve të panairit në Prishtinë sot janë habitur me atë se çfarë prodhon Shqipëria, po ashtu edhe Kosova, sidomos kur dihet fakti se edhe kostoja e prodhimeve do të ishte me çmim shumë më të volitshëm.