Thellohet bashkëpunimi mes Komunës së Prishtinës dhe asaj të Preshevës

- 07 Feb 2017

Në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare, që u themelua në prag të 28 Nëntorit të vitit të kaluar në Tiranë, përfaqësues të Komunës së Preshevës vizituan sot Komunën e Prishtinës. Kryeshefi i Inspekcionit në Preshevë, Enver Aliu, bashkë me zëvendës kryeshefin e Administratës, Avni Alitin, u priten nga Drejtori i Administratës së Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.
 
Në këtë takim u diskutuan në detaje projektet që janë bërë në Administratën e Komunës së Prishtinës, projekte këto që kanë rezultuar shumë të suksesshme. Ndër temat e diskutimit ishin dixhitalizimi i shumë shërbimeve, menaxhimi i radhëve, e-Kiosku, e-Inspeksioni, dhe projekte të ngjashme që kanë ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
 
Komuna e Prishtinës është e gatshme që përvojën e vet në qeverisje të mirë ta shpërndajë sa më shumë në komunat shqiptare, në mënyrë që përmes projekteve që kanë rezultuar të suksesshme në Prishtinë të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve në komunat tjera.