- 09 Feb 2017
Dje, më 8 shkurt, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinë në funksion të përmirësimit dhe ngritjes së cilësisë në arsim, organizoi takim pune me drejtues të institucioneve edukativo-arsimore të nivelit të arsimit parauniversitar dhe me kryetarët e Aktiveve profesionale të të gjitha shkollave të Komunës së Prishtinës.
Në këtë takim morën pjesë mbi 600 përfaqësues nga të gjitha shkollat, të cilët jo vetëm se mirëpritën këtë bashkëpuninim, adresuan çështje me interes për mbarvajtjen e procesit mësimor dhe shprehën gadishmëri për angazhim të vazhdueshëm në drejtimi të ngritjes së cilësisë në arsim.
Drejtoresha e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci në fjalën e saj deklaroi se "rikthimi në cilësinë e plotë të arsimimit në Kosovë është një aksion shtetëror, madje kombëtar. Ky aksion kërkon edhe sakrifica edhe dije. Shumë zyrtarë apo dhe profesionistë kam parë që të jenë të vendosur për të dyja. Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat dhe peripecitë e mëdha që janë duke e përcjellur sistemin e arsimit në Republikën e Kosovës në tri nivelet e arsimit parauniversitar, kërkoj një bashkëpunim dhe mobilizim të përgjithshëm, në funksion të përmirësimit dhe ngritjes së cilësisë në arsim me qëllim të arritjes së rezultateve të niveleve dhe standardeve bashkëkohore e të qëndrueshme.
Vlerësimet e jashtme dhe në veçanti vlerësimi ndërkombëtar PISA, e rangoi Kosovën ndër vendet e fundit sa i përket rezultateve, në të tri fushat e përfshira në vlerësimi (lexim, matematikë dhe shkencë) krahasuar me të gjitha vendet dhe ekonomitë tjera pjesëmarrëse. Madje jo vetëm ndër të fundit, por shumë larg nën mesataren e përgjithshme dhe mjaft nën mesataren edhe të Republikës së Shqipërisë, duke përmbysur kështu dhe rezultatet e brendshme të shkollave, si jo të standardizuara dhe të paqëndrueshme.
Për të dalë nga kjo situatë nevoitet mobilizim i të gjithë neve dhe sidomos i organeve profesionale në shkolla për realizimin e punëve dhe detyrave me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.”
Drejtoria e Arsimit, duke e ditur peshën dhe rëndësinë determinuese që kanë organet profesionale të shkollës në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë në arsim, kërkon që tani e tutje secili organ t’i realizon punët dhe detyrat me përgjegjësi të lartë.
Andaj, tani e tutje drejtuesit e shkollave do veprojnë në koordinim të plotë me organet profesionale të shkollës, duke ndërmarrë të gjithë hapat e duhura, për përmirësimin e cilësisë së arsimit në shkollën e menaxhuar nga ta, bashkarisht me Komunën e Prishtinës dhe po besoj me kontribut edhe më gjerë.