Nga sot, furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm

- 17 Mar 2017

Sot u inaugurua fabrika e ujit në Shkabaj, e cila i jep fund pritjes shumëvjeçare të qytetarëve të Prishtinës për furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se jemi angazhuar dhe kemi punuar tash e sa kohë për këtë ditë, dhe sot arritëm që t’i shtojmë 700 L/s më shumë ujë për qytetarët e Prishtinës dhe komunave të tjera. “Falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan në këtë projekt. Në 2 vitet e para të këtij projekti kemi punuar në ndërrimin e gypave të ujësjellësit, kurse para një jave përuruam fabrikën për trajtimin e ujit në Badovc. Sot, po e rrumbullakojmë këtë projekt tepër të rëndësishëm dhe po e zgjidhim një problem jetik për qytetarët e kryeqytetit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Ai në veçanti falënderoi dhe uroi qytetarët e Prishtinës, të cilët janë më meritorët për realizimin e këtij projekti, qoftë për durimin që kanë treguar, qoftë për kontributin dhe investimin. “Përveç 5 milionë eurove investim të Komunës, që janë para të taksapaguesve të Prishtinës, edhe kredia prej 20 milionë euro e marrë nga KFW kthehet më së shumti nga po këta qytetarë. Kjo pasi që 70% të konsumatorëve të KUR “Prishtina” janë qytetarë të Prishtinës , dhe këta qytetarë kanë arritur që të paguajnë mbi 90% të faturave të ujit”, tha në fund Ahmeti.