- 02 Dec 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Dardan Sjediu, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi mbajtën diskutim publike me banorët e fshatit Siçevë.
Fshati Siçevë ka rreth 70 shtëpi, me afro 500 banorë ndërsa ishte i izoluar shkaku i mungesës së infrastrukturës përkatëse. Banorët e këtij fshati u shprehën se me ardhjen e qeverisjes së kryetari Ahmeti, u realizua projekti rrugor Bërnicë – Siçevë – Sharban dhe njëkohësisht u shprehën falënderues për këtë investim të Komunës së Prishtinës që e ka lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj ane. Ata u shprehën të kënaqur edhe me projektin e shujtave.
Kryetari Shpend Ahmeti në fillim të këtij takimi, i falënderoi të pranishmit që morrin pjesë masivisht në këtë diskutim publik.
“Ne sivjet, deri më tani, i kemi mbajtur 38 diskutime publike, më lagje të ndryshme të kryeqytetit si dhe nëpër fshatra, ndërsa deri në fund të këtij viti do të mbahen edhe 15 diskutime. Jemi përpjekur që mesatarisht çdo javë ta kemi një diskutim publik me qëllim që të mbajmë kontakt me qytetarët dhe të jemi sa më afër tyre. Jemi të vetëdijshëm se nuk mundemi që t’i zgjidhim brenda disa muajve të gjitha problemet që janë në Komunën e Prishtinës, por bashkërisht me ju jemi angazhuar t’i zgjidhim ato probleme që mundemi me qëllim që ta përmirësojmë dukshëm jetën e banorëve. Është e vërtetë se drejtori i Infrastrukturës Lokale, ka bërë të pamundurën që projekti i rrugës të fillohet patjetër, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm këtë projekt do ta vazhdojmë deri aty ku lidhet me rrugën kryesore, me ç’rast do të lidhet me Bërnicen e Epërme”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se gjatë vitit të ardhshëm me projektin e transportit publik synon që linjat të jenë përgjithësisht më të rregullta dhe më të shpeshta, si dhe më të përballueshme sa i përket kostos së qytetarëve. Ai i njoftoi të pranishmit më hollësisht lidhur kërkesat që banorët e kësaj ane mund të shtrojnë dhe t’i ngremë si çështje në Komunën e Prishtinës.
Drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se rruga Bërnicë – Siçevë – Sharban ndonëse kishte filluar shumë më herët, kishte hasur në probleme të ndryshme, ndërsa përfundimi i saj ishte mundësuar vetëm falë projektit që është bërë gjatë kësaj qeverisje dhe të gjitha parakushteve për t’i plotësuar standardet sa i përket kualitetit. Ai i njoftoi të pranishmit se në planin e buxhetit të vitit 2015, është planifikuar edhe ndërtimi i rrugës Siçevë – Llukar e cila do ta shkurtojë rrugën e banorëve të kësaj ane për në qytet.
“Ka edhe shumë projekte të tjera që janë planifikuar, siç është rruga nga Sharbani tek lagjja e Elshiqëve e cila vazhdon në drejtim të Koliqit, si dhe disa rrugë të tjera që tashmë kanë hyrë në fazën projektuese”, tha Durmishi.
Durmishi i njoftoi se për vitin 2015 janë paraparë 52 projekte të ndryshme infrastrukture, të cilat do të tenderohen në fillim të vitit të ardhshëm me qëllim që të përfundohen brenda vitit.
Banorët kërkuan që t’u shtrohen rrugicat që do t’i lidhnin ata me rrugën kryesore, ndërsa kërkuan që kur të bëhet sinjalizimi i rrugës Bërnicë – Siçevë – Sharban, të merren parasysh edhe parakushtet e sigurisë, pasi që rreth saj ndodhet shkolla, si dhe ndriçimin publik. Njëkohësisht, ata kërkuan që Komuna e Prishtinës t’i ndihmojë edhe në zhvillimin e bujqësisë, bletarisë dhe tër rigjallërohet jeta në këtë anë e mos të mbesin pronat djerrinë.
Drejtori i Shërbimeve Publike i njoftoi të pranishmit se është se zgjerimi publik është duke u bërë përgjithësisht në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, me të gjitha specifikat varësisht nga zona të caktuara.
Ata u shprehën mirënjohës dhe e falënderuan Kryetarin e Komunës së Prishtinës lidhur me angazhimet e deritanishme.