Përzgjedhen 50 familje që do strehohen në banesat e Komunës

- 05 Apr 2017

Komisioni Komunal për Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Familjeve që kanë aplikuar në programin për shpërndarjen e 50 banesave sociale, ka përfunduar sot vlerësimin dhe përzgjedhjen e atyre familjeve.

Komisioni gjatë gjithë procesit ka qenë plotësisht transparent dhe i monitoruar nga shoqëria civile, mediat, dhe të gjithë ata që kanë shprehur interesim të jenë si vëzhgues. Kjo është bërë që të mos lihet hapësirë për dyshime, dhe të vendoset objektivisht, ashtu që të përfitojnë rastet më të rënda sociale.

Si rezultat i punës së këtij komisioni, nga 50 familje që kanë përfituar nga ky program, 86% (ose 43 familje, prej të cilave 14 nëna vetëushqyese) kanë të hyra mujore më pak se 150 euro, kurse 7 familjet e tjera kanë të hyra mujore nga 150 deri në 250 euro.

Nga 331 familje që kanë aplikuar, 287 prej tyre i kanë plotësuar kushtet ligjore sipas konkursit të shpallur, dhe janë trajtuar e vlerësuar sipas pikëve. Kurse, 44 familje të tjera nuk janë proceduar për shqyrtim, vlerësim e verifikim të mëtutjeshëm, për shkak se disa nga ato i kanë takuar kategorive të tjera, disa kanë qenë të komunave të tjera, e disa kanë bërë deklarime të pavërteta.

Çdo aplikues i pakënaqur mund të ankohet në Komision brenda 10 ditëve, dhe nëse nuk pajtohet me vendimin eventual të komisionit mund të ankohet në Ministri (MMPH) në afat prej 30 ditësh. Në rast se pala nuk pajtohet as me vendimin e Ministrisë, në afat prej 30 ditësh mund të bëjë padi për inicimin e konfliktit administrativ në Gjykatë Supreme.

 

 Lista e përfituesve të banesave sociale