- 11 Apr 2017
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mori pjesë në prezantimin mbi Planin e Integritetit, që u organizua nga Ministria e Pushtetit Lokal. Në fjalën e tij Kryetari Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës ka qenë institucioni i parë në Republikën e Kosovës, i cili në vitin 2014 ka hartuar Planin e Integritetit në bashkëpunim me Agjensionin Antikorrupsion dhe UNDP-në. “Në përgjithësi mendojmë se ky plan është shumë i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit. Ne kemi realizuar edhe dëgjimet publike, 6 muaj pas hartimit të planit, në bashkëpunim me UNDP-në dhe si rezultat i këtyre aktiviteteve sot diku 18 komuna e kanë planin e integritetit” tha ai.
Sipas tij një lider politik nuk duhet të matet gjatë kohës që e ushtron funksionin, por pasi që e len funksionin, në mënyrë që të shihet cka ka lënë ai lider pas, çfarë sistemi ka ndërtuar që edhe në të ardhmen ai institucion të funksionojë më mirë e jo të varet i tërë institucioni nga një person.
“Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga thesari që në këtë kohë të dixhitalizimit t’i kemi të dhënat në aplikacionet tona që në mënyrë automatike të tregohet kur bëhet një shpenzim. Publikimi automatik i shpenzimeve bën që edhe politikanët të mendojnë dy here para se të bëjnë shpenzime me para publike”, tha Ahmeti.
Duke folur për transparencën në Komunën e Prishtinës, Kryetari Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës ballafaqohet me situata kur zyrtarë të Komunës me rroga 400-500 euro duhet të marrin vendime për projekte milionëshe. Në vend se të bazohemi vetëm te karakteri i zyrtarit, transparenca e vendimeve dhe e shpenzimeve e parandalon mundësinë e korruptimit. Aplikacionet të cilat i ka krijuar Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UNDP janë E-Rekrutrimi, E-Shpenzimi, tash jemi futur në projektin e 5 komunave së bashku me USAID që është projekti i komunave transparente, efektive dhe të përgjegjshme.
Në fund, duke folur për implementimin e Planit të Integritetit në të ardhmen, Shpend Ahmeti foli për identifikimin e disa proceseve në drejtori të ndryshme të cilat do të bëhen transparente. Kësisoj, ndarja e 50 banesave sociale në një proces ku kanë aplikuar 300 familje është zhvilluar komplet në mënyrë transparente, me prezencën e mediave dhe shoqërisë civile gjatë procesit. Poashtu subvencionet nga Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, si dhe ato nga Drejtoria e Bujqësisë në të ardhmen do të jenë të qasshme nga publiku.