- 18 Apr 2017
Komuna e Prishtinës i ka përmbushur objektivat e veta sa i përket arsimit parafillor, tha Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, në fillim të konferencës për media lidhur me funksionimin e çerdheve me bazë në komunitet, formë kjo që për herë të parë po aplikohet në Kosovë. Ajo tha se sivjet në Prishtinë janë 1610 fëmijë në çerdhe publike, ndërsa në ato me bazë në komunitet 519 fëmijë, që nënkupton rritje të kapaciteteve për 1/3. Organizimin e arsimit parafillor e parasheh edhe Ligji për Edukimin Parafillor duke potencuar se “Kur në rrethin e vendbanimit të fëmijëve, nuk ka institucione parashkollore, komuniteti ka të drejtë të vetorganizohet në përputhje me këtë ligj, për të ofruar shërbime të edukimit parashkollor”.
Ndërkaq Drejtuesja e Kabinetit të Kryetarit, Fitore Pacolli shpjegoi se si për shkak të pamundësisë të hapjes së çerdheve të reja publike, Komuna e Prishtinës ka hulumtuar disa modele për të zgjidhur këtë problem dhe në bashkëpunim me banorët e lagjeve kanë hapur çerdhet me bazë në komunitet, të cilat menaxhohen nga vetë komuniteti, përkatësisht nga Këshilli i Prindërve. Pacolli tregoi se si deri më tash janë hapur 5 çerdhe të tilla: “Botanika” në Mati 1, “Ngjyrat” në Hajvali, “Shtëpia Magjike” në fshatin Besi, “Shkronjat” në Arbëri dhe çerdhja “Zogjtë” në Sofali. Duke e parë se ky model tregoi sukses, Komuna e Prishtinës është në proces të hapjes së edhe 5 çerdheve tjera me bazë në komunitet, në lagjet: Tophane, Kodra e Trimave, fshatin Bardhosh, Kolovicë dhe Kalabri. Me hapjen e të gjitha çerdheve deri në fund të mandatit numri i çerdheve në Prishtinë do të jetë 18 dhe do të dyfishohet numri i fëmijëve që do të kenë mundësitë të pranohen në çerdhe.
Në konferencë folën edhe 3 përfaqësues të Këshillave të Prindërve, Kadrie Krasniqi, Ardian Imeti dhe Hedije Alshiqi,në çerdhet Botanika, Ngjyrat dhe Shkronjat, të cilët shpjeguan mënyrën e funksionimit, administrimit dhe financimit të këtyre çerdheve.
Komuna e Prishtinës i ka siguruar objektet për të gjitha çerdhet, si dhe subvencionon prindërit me të ardhura më të ulëta me 50% të çmimit.