Mbahet gara “Fizikanët e rinj”

- 20 Apr 2017

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës organizoi garën e radhës, “Fizikanët e rinj” në nivel komune. Gara u zhvillua në objektin e gjimnazit “Matematik”, ku pjesëmarrës ishin 75 nxënës të nivelit të arsimit të mesëm të ulët, konkretisht nxënësit e klasave të nënta (IX) dhe nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të lartë të klasave X, XI dhe XII, nga të gjitha institucionet edukativo-arsimore.
Në garën e Fizikanëve të rinj, secila shkollë u përfaqësua me nxënës që kanë treguar rezultate të larta në garën në nivel shkolle. Ndërsa, nxënësit që do të shënojnë rezultate të mira në nivel komune do të përfaqësojnë Komunën e Prishtinës në nivel vendi me datë 29 prill, ku gara do të mbahet në Fakultetin e Shkencave Matematikore-natyrore (Departamentin e Fizikës), të Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina”.
Qëllimi dhe organizimi i garës me karakter të tillë është në funksion të përmirësimit të cilësisë në arsim, nxjerrjes në pah të shkathtësive dhe kompetencave të arritura nga nxënësit në shkencën e fizikës, identifikimin e talenteve të rinj dhe mbështetjen e tyre drejt avancimit dhe zhvillimit profesional.
Drejtoria e Arsimit, në kontekst të zhvillimit, ngritjes dhe përmirësimit të cilësisë në arsim ka ndërmarrë veprime konkrete në shumë dimensione që garantojnë progres në ngritje të cilësisë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie, duke përmirësuar infrastrukturën shkollore, pajisjen e shkollave me kabinete, laboratorë dhe mjete të ndryshme dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, në mënyrë që të kemi një mësimdhënie cilësor dhe të jemi në hapë me trendët ndërkombëtare.
Në procesin e organizimit të garës së Fizikanëve të rinj, kontribut të çmueshëm dhe profesional kanë dhënë mësimdhënësit e lëndës së fizikës, të cilët kanë dorëzuar pyetje nga të cilat më pas, drejtoria ka realizuar përpilimin e testeve.
Gjithë ecuria dhe procesi i testimit është administruar dhe monitoruar nga zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit dhe mësimdhënësit e fizikës.