- 03 Dec 2014
Komuna e Prishtinës në diskutimin publik të radhës trajtoi çështjen e legalizimit të ndërtimeve pa leje
Qytetarët e interesuar patën rastin të informohen hollësisht lidhur me këtë proces nga Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu.
Aliu fillimisht i njoftoi të pranishmit se të gjitha objektet pa leje që aplikohet, do t’i nënshtrohen ligjit për legalizim, në të kundërtën ato do të futen në listën për rrënim.
“Të gjitha ato aplikime të mëparshme për legalizim do të regjistrohen apo tanimë janë regjistruar në listën e ndërtesave pa leje me të gjitha të dhënat që i kemi. Ato janë regjistruar edhe në hartë, në databazën e GIS. Për të gjitha objektet për të cilat aplikohet, do t’i nënshtrohen ligjit të legalizimit. Për ato objekte që nuk aplikohet, sipas ligjit me automatizëm futen në listën për rrënim. Ndërsa për ato për të cilat është aplikuar, do të trajtohen. Një pjesë parashihet në legalizohet, ndërsa ato objekte që nuk i plotësojnë kushtet për legalizim, futen në listën për rrënim”, tha drejtori Aliu, i cili tha se ekziston një numër i madh i objekteve që do të regjistrohen dhe se tashmë ka filluar ky proces dhe qytetarët duhet t’i regjistrojnë objektet e tyre.
Aliu tha se do të organizohen edhe takime me qytetarë në lagje të ndryshme të Prishtinës me qëllim të sensibilizimit dhe udhëzimit se si ata duhet të veprojnë dhe se për këtë qëllim do t’ju ndahen edhe fletëpalosje ku do të përfshihen të gjitha informatat e nevojshme. Ai tha se është e domosdoshme që qytetarët t’i ofrojnë të dhënat e tyre konkrete që të hyjnë në listën e regjistrimit. Sipas tij, vetëm kështu mund të klasifikohen dhe të verifikohen të dhënat ekzistuese të komunës më ato dokumentet të cilat i sjellin qytetarët që duan t’i legalizojnë objektet e tyre pa leje.
“Më pas fillon periudha e aplikimit, ndërsa për objekte që është aplikuar në vitin 2010 nuk është e nevojshme të ri aplikohet, por për të gjitha këto raste nga palët do të kërkohen dokumentacione shtesë në rastet kur një gjë e tillë është e nevojshme, në përputhje në rregulloret që kanë qenë në fuqi kur nuk ka ekzistuar ligji për legalizim. Tash ekziston ligji dhe ne do të veprojmë në përputhje me ligjin”, tha Aliu.
Në interesimin e qytetarëve se çfarë do të ndodh me ndërtimet që kanë përfunduar pas muajit gusht të vitit 2013, Aliu u përgjigj se me ligj përcaktohet se ato objekte nuk i nënshtrohen ligjit të trajtimit të objekteve pa leje.
“Se çka do të legalizohet, e çka jo ato do të definohen me Udhëzimin Administrativ që do të bëhet në bashkëpunim me ministrinë. Pra, do të jetë e vështirë vija ndarëse midis një objekti legalizohet ose jo, por kjo do të definohet nga ligji. Pra, nga ana jonë, ne do të presim udhëzimet e qarta për objektet shumëbanesore lidhur me legalizimin sepse kemi raste të shumta kur një objekt shumëbanesor ka bërë ndërtim të qind për qind në parcelën e vet dhe i ka tejkaluar kriteret, ka të tjera të cilat kanë marrë leje dhe e kanë tejkaluar atë leje dhe të gjitha këto në bashkëpunim me ministrinë dhe udhëzimet administrative do të trajtohen”, tha drejtori Aliu.
Të pranishmit, pos që u interesuan kryesisht për rastet individuale dhanë edhe propozim që me vendim të Kryetarit të Komunës së Prishtinës të formohet një komitet i përkohshëm lidhur me procesin e legalizimit dhe i cili do të përbëhej nga përfaqësues të Komunës, ekspertë të kësaj fushe, përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të kishte rol këshillëdhënës, ndërsa ata njëkohësisht kërkuan që komisionit të cilat do të japin pëlqimin për legalizimin e objekteve në të ardhmen, të ngarkohen me përgjegjësi ligjore.
Po ashtu, në këtë diskutim publik pati edhe të pranishëm që shfaqën brengën e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa Drejtori Liburn Aliu i siguroi se me Planin Rregullativ Zhvillimor (PZHU) është i definuar diametri, kufiri i zonës, ndërsa në raport me këto objekte, do të ridefinohen kriteret edhe me institucionet e tjera relevante.