Hapet zyrja e informimit për bujq në Komunën e Prishtinës

- 21 Apr 2017

Komuna e Prishtinës nga sot do të funksionalizojë zyrën informative për fermerët.Kjo u bë e ditur gjatë konferencës për media të Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, Drejtori i Bujqësisë, Ferat Makolli dhe zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë.
Drejtori për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Ferat Makolli ka thënë se zyra Informative për Bujqësi do të jetë ne dispozicion për të gjithë fermerët dhe bujqit e Komunës së Prishtinës. Ndërkaq, Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka 90% të territorit të saj zonë rurale, ku bëjnë pjesë 550 hektarë tokë bujqësore të klasit të parë. Ai tha se këtë vit ka filluar një projekt i përbashkët me Qeverinë e Austrisë me vlerë 3 mln euro, e që ka për qëllim avancimin e fermerëve dhe në përgjithësi të bujqësisë në Komunë të Prishtinës.
Hysni Thaçi përfaqësues i Ministrisë Bujqësisë ka thënë se Qeveria dhe Komuna duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për zhvillimin ekonomik.Ai ka thënë se Qeveria ndihmon edhe shërbimet këshillimore e cila iu ndihmon fermerëve për zhvillim të mëtutjeshëm për të hyrat dhe të dalat e tij si biznes.