- 06 Dec 2014
Drejtoria e Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, në kuadër të projekteve për përmirësimin e infrastrukturës ka filluar shtrimin e rrugëve me kubëza në lagjen Mati 1.
Tashmë kanë filluar punimet në rrugën “Ndue Përlleshi”, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të rregullohen të gjitha rrugët në lagjen "Mati 1" me kubëza të betonit.
Njëkohësisht, tashmë është rregulluar edhe parkingu në lagjen Ulpiana.
Kohë më parë, me banorët e lagjes "Mati 1" ku u diskutua për planin urbanistik, infrastrukturën dhe shërbime publike në këtë lagje.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i problemeve në përgjithësi në këtë pjesë të qytetit, e në veçanti çështja e rrugëve “Ndue Përlleshi” dhe “Shaqir Igrishta”.
Asokohe, Drejtori i Urbanizmit, Liburn Aliu i informoi të pranishmit se ndërtimi i këtyre dy rrugëve është i planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, mirëpo bazuar në planin urbanistik, pengesë kryesore për realizimin e këtyre dy projekteve paraqet procesi i shpronësimit dhe objektet ekzistuese që kanë leje, mirëpo që janë në kundërshtim me planet rregullative, gjë që e rrit koston e projekteve. Në rrethana të tilla, nuk mund të revidohen planet pa e konstatuar gjendjen reale në terren.
Pasi që një proces i tillë kërkon kohë, ndërsa nevojat e banorëve të kësaj lagje janë urgjente, atëherë Komuna e Prishtinës ishte shprehur e gatshme që të ofrojë zgjidhjen e përkohshme, respektivisht shtrimin e këtyre rrugëve me kubëza të betonit derisa të bëhet një zgjidhje e përhershme.”
Njëkohësisht, Drejtoria e Infrastrukturës Lokale, e udhëhequr nga drejtori Hysen Durmishi së shpejti do të fillojë edhe projektin e kolektorit mbi lumin Mat që do të nis të realizohet së shpejti, i cili në të njëjtën kohë do të bëjë zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza dhe ata atmosferik dhe do të realizohet paralelisht me projektin për rrugët në lagjen Mati 1.