- 27 Apr 2017
Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me Drejtorin për Bujqësi, Ferat Makollin, pranuan sot donacion nga Turqia për sektorin e blegtorisë. Blegtorëve të Prishtinës u shpërndanë makina mjelëse, përmes të cilave do të rritet dukshëm efikasiteti i punës së tyre.
Drejtori Ferat Makolli falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke theksuar se është në bisedime edhe me organizata të vendeve të tjera ashtu që të rriten donacionet për bujqësinë dhe blegtorinë në Prishtinë.
Na fjalën e saj të rastit, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, tha se sot po realizojmë një projekt shumë të rëndësishëm për ekonomitë familjare të Prishtinës. “Falënderoj Komunën e Prishtinës për angazhimin në këtë bashkëpunim, dhe gjithashtu organizatën TIKA. Po i dhurojmë sot këto makina mjelëse, si përkrahje e duhur për juve. Pranoni këto si dhurata nga populli turk, në emër të miqësisë në mes dy popujve tanë”, tha para blegtorëve Ambasadorja Kılıç.
Kryetari Ahmeti tha se Prishtina i 550 kilometra katror, prej të cilave vetëm 8% është zonë urbane. “Ky 92% është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomik, me theks të veçantë në bujqësi dhe blegtori. Pa bujqësi nuk mund të zhvillohemi. Prandaj kemi kërkuar ndihmë edhe nga donatorët. Nuk ka ditë më të mirë për Kryetar të Komunës, sesa kur pranon ndihma të tilla për qytetarët e vet”, tha ndër të tjera Ahmeti. Ai në emër të blegtorëve falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke shpresuar se në të ardhmen do të kemi sa më shumë projekte të tilla të bashkëpunimit.