- 06 Dec 2014
Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi i shoqëruar nga përfaqësuesi i kabinetit të Kryetarit të Prishtinës, Xhevdet Pozhari mbajti diskutim publik me banorët e fshatit Bërnicë e Ultë, shumica e të cilëve i përkasin komunitetit serb.
Të pranishmit thanë se për herë të parë dikush nga Komuna e Prishtinës vjen të mbajë dëgjim publik në këtë fshat dhe të njihet me hallet dhe gjendjen e tyre që sipas tyre është rënduar tej mase shkaku i neglizhencës në të kaluarën.
“Pjesë e konceptit qeverisës në Prishtinë dhe qëllim i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është që të zhvillojmë diskutime publike më çdo lagje, në çdo fshat të Prishtinës në mënyrë që të jemi sa më afër kërkesave dhe nevojave të banorëve të saj. Pra, që bashkërisht të përcaktojmë prioritetet dhe t’i bëjmë pjesë të projekteve për zhvillimin e kryeqytetit. Sidomos kur bëhet fjalë për komunitetet e tjera jo shqiptare, ka ardhur koha që ato të mos të kenë veç kërkesat elementare që ndërlidhen kryesisht me infrastrukturën dhe shërbimet publike, por edhe të jenë pjesë aktive e zhvillimit të kryeqytetit në përgjithësi me ide konkrete dhe të barabartë me gjithë të tjerët”, tha përfaqësuesi i kabinetit, Xhevdet Pozhari.
Në fillim të bashkëbisedimit me banorët e kësaj ane, drejtori Hysen Durmishi tha se është në vazhdimësi në kontakt me Bashkësinë Lokale të kësaj ane, përfaqësuesin e tyre në asamblenë komunale, si dhe Komitetin për Komunitete në Komunën e Prishtinës.
“Tashmë kanë filluar disa projekte në këtë anë. Për vitin e ardhshëm ne kemi filluar projektimin e dy rrugëve që janë të rëndësishme për qytetarët që jetojnë këtu. Ne kemi pasur një takim me kryetarin e Komunës së Kastriotit pas kërkesës së asamblistit tuaj për ndërtimin e rrugës Bërnicë e Ultë-Mazgit. Duke e nisur rëndësinë e kësaj rruge, ne kemi filluar projektimin, pra vitin e ardhshëm e kemi futur në kuadër të buxhetit që në bashkëpunimin me Komunën e Kastriotit përmes një memorandumi që do të nënshkruhet, do të ndërtojmë rrugën nga Bërnica e Ultë deri në Mazgit. Gjithashtu kemi dërguar për projektim edhe rrugën që kalon përreth kanalit të Ibër Lepencit. Kemi marrë pëlqimin nga Ibër Lepenci dhe tashmë jemi në fazën e projektin. Kjo rrugë përshkon Bërnicën e Ultë, Ibër Lepencin dhe vazhdon deri në Bardhosh”, tha drejtori Durmishi.
Të harruar nga pushteti i kaluar, kërkesat e banorëve të Bërnicës së Ultë ishin nga më të ndryshmet, ndërsa pyetjet e shumta kryesisht lidheshin me rrjetin e kanalizimit dhe infrastrukturën rrugore. Një prej shqetësimeve kryesore ishte edhe rreziku nga vërshimet pasi që, siç u shprehen ata, 50 % e fshatit rrezikohet nga vërshimet dhe është nevojë urgjente rregullimi i shtratit të lumit. Njëkohësisht, ata shprehën pakënaqësi të shumta ndaj kompanisë rajonale ujësjellësi “Prishtina”, pasi që sipas tyre nuk iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave sidomos në disa raste kur janë të dëmtuar gypat e ujësjellësit dhe ka humbje të mëdha të ujit të pijshëm. Njëkohësisht, problem i madh për ta mbetet edhe ura e dëmtuar e këtij fshati dhe e cila është pa mbrojtëse anësore, si dhe kërkuan që të shikohet mundësia e ndërtimit të një ure të re ose të riparimit të asaj ekzistuese.
Ata shfaqën brengën e tyre edhe për shkatërrimin e hapësirave të gjelbra, hedhjen e mbeturinave dhe shkatërrimin e parkut që ndodhet në afërsi të këtij fshati. Një pjesë të madhe për shkatërrim ia përshkruan edhe kompanisë Bechtel & Enka, e cila gjatë ndërtimit të autostradës i ka shkaktuar dëme të mëdha, pothuajse të pariparueshme këtij parku. Ata kërkuan që Komuna e Prishtinës të ushtrojë presion dhe kompania t’i përmbahet kushteve kontraktuale që ta sanojë dëmin e shkaktuar.
Drejtori Durmishi i siguroi që të gjitha këto çështje do të trajtohen me seriozitet nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, me kërkesë të banorëve, autoritetet komunale u shprehën të gatshme që në të ardhmen të mbajnë edhe diskutime të tjera publike dhe bashkërisht të angazhohen për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve në këtë anë. Durmishi i siguroi se gjatë vitit të ardhshëm Komuna e Prishtinës do të zgjidhë problemin me kanalizime, ndërsa tha se të gjitha brengat e tyre do t’i adresojë të drejtoritë përkatëse, si dhe do të bëhet presion që kompania ujësjellësi të përmbushë obligimet e saj karshi këtyre banorëve. Po ashtu, ai i njoftoi të pranishmit se duhet të listojnë kërkesat e tyre, siç janë ndriçimi publik, vendosja e kontejnerëve, një fushë futbolli dhe të vinë me kërkesa konkrete në Komunën e Prishtinës.
Njëkohësisht, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi i njoftoi të pranishmit edhe lidhur me bashkëpunimin e Komunës së Prishtinës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), me ç’rast së shpejti pritet edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi për pesë fusha të ndryshme, siç janë transporti publik, rehabilitimi i rrjetit rrugor, eficienca e energjisë, infrastruktura e ujërave të zeza dhe trajtimi i tyre në të ardhmen, si dhe mbeturinat inerte.
Asambleisti Nenad Milladinoviç, i cili po ashtu ishte i pranishëm në këtë takim u shpreh optimist në udhëheqësit aktualë të Komunës së Prishtinës. Ai tha se ka hasur në vullnet dhe mirëkuptim për të dëgjuar hallet e banorëve të kësaj ane dhe se tashmë kanë filluar të realizohet projektet konkrete. Milladinoviç, njëkohësisht u shpreh optimist se do të zgjidhen shumë probleme që u përfolën në këtë diskutim, ndonëse ai kërkoi mirëkuptim dhe durim pasi që siç u shpreh, nuk është aspak e lehtë pasi që gjatë gjithë këtyre viteve janë grumbulluar shumë probleme.