- 25 May 2017
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, për të dytën herë me radhë organizon ceremoninë madhështore të diplomimit për të gjithë maturantët e shkollave të mesme të larta publike të Komunës së Prishtinës.
Dje me datë 24 maj 2017 në amfiteatrin e Gërmisë, u organizua ceremonia festive për 394 maturantë të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Për të kremtuar këtë ditë të veçantë, nxënësit e kësaj shkolle prezantuan program të pasur artistik, ku ndër të tjera shfaqin momentet më të bukura të tyre përgjatë këtyre tri viteve të shkollimit.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe drejtoresha Komunale e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci dhe zyrtarët e arsimit.
Znj. Nagavci në një fjalë rasti në këtë ceremoni theksoi se është kënaqësi dhe privilegj të jesh pjesë e këtij eventi. Po ashtu me këtë rast i uroj nxënësit për përfundimin e shkollimit të mesëm të lartë dhe uroj për suksese të vazhdueshme në rrugën e dijes.
Znj. Nagavci, theksoi se një falënderim i veçantë shkon për drejtuesit e institucioneve arsimore dhe në veçanti për mësimdhënësit, për punën dhe kontributin e tyre të pakontestueshëm në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave.
Ky organizim me karakter festiv filloi me gjimnazin “Sami Frashëri”, për të vazhduar sot më datë 25 maj, me SHML “Hoxhë K. Prishitna”, gjimnazin “Ahmet Gashi”, gjimnazin “Xhevdet Doda” dhe gjimnazin “Matematik”.
Ndërsa me datë 26 maj, ceremoninë e graduimit do të realizojnë shkollat: SHML “Gjin Gazulli”, SHML “7 Shtatori”, SHML “Abdyl Frashëri”, SHML “28 Nëntori”, SHML “Ali Sokoli”, shkolla e muzikës “Prenk Jakova” dhe gjimnazi “Eqrem Çabej”, ku dhe do të jetë dita përmbyllëse e kësaj ceremonie madhështore të realizuar me 3110 maturant të të gjitha shkollave të nivelit të arsimit të mesëm të lartë.
Me rastin e diplomimit të gjeneratës 2014/17 Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, i uron të gjithë maturantëve shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin e dijes, me thënien e rilindasit tonë Sami Frashëri “Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij — morali i përgjithshëm.”