Dita e hapur e Komunës

- 08 Dec 2014

Sot, në Komunën e Prishtinës u organizuar aktiviteti “Dita e hapur e Komunës”, me ç’rast nxënësit e shkollave të mesme të Prishtinës patën rastin të njihen me organizimin e punës së Komunën e Prishtinës.

Kryetari Shpend Ahmeti fillimisht iu uroi mirëseardhje nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës, të cilët e vizituan Komunën me qëllim që të njihen për së afërmi me punën në Komunë që përafërsisht të njihen me ecurinë e punës.

Ahmeti tha se një prej qëllimeve kryesore është rritja e transparencës, sidomos në shpenzimin e parasë publike dhe në konkurset publike, ngaqë siç tha ai, në Kosovë ende nuk është zhvilluar koncepti i llogaridhënies ndaj taksapaguesve.

“Po ta krahasojmë më Amerikën, atje sa herë që shpenzohet për diçka, menjëherë reagon qytetari si taksapagues dhe kërkon llogari pse janë bërë ato shpenzime. Ne detyrë e kemi, jo veç si Komunë, por çdo institucion shtetëror të jep llogari para qytetarëve për çdo cent të shpenzuar. Ne për këtë arsye i kemi edhe rregullat të cilat duhet të zbatohen me përpikmëri, qoftë ato të prokurimit apo ato të punësimit, etj. Ne shumë shpejt, bashkë me ndihmën e UNDP-së, do t’i kemi disa programe kompjuterike që përveç certifikatave “online” që e kemi bërë t’i arrijnë qytetarit brenda 48 orëve në shtëpi, tash duhet t’i bëjmë edhe disa uebfaqe të tjera të cilat do të tregohet se si shpenzohen mjetet e komunës në kohë reale. Që çdo qytetar i interesuar ta kuptojë ku i ka shpenzuar kryetari i Komunës me këtë qeverisje mjetet, por edhe procedurat e punësimit”, tha Ahmeti.

Kryetari Ahmeti tha se edhe nëse kthehemi prapa në histori del se organizimi politik i një shoqërie është bërë përmes krijimit të komunave.

“Bazat e politikës dhe jetës së përbashkët janë tek komuna. Dhe pikërisht edhe sot e kemi edhe këtë koncept shumë më të avancuar, pra koncepti i komunës. Ne jemi pika e parë e vendtakimin midis qytetarëve, pika e parë e referencës kur kemi ndonjë problem është komuna. Kjo e bën punën e kryetarit të Komunës punën më të vështirë, pasi që merren me të gjitha problemet e qytetarëve pavarësisht se disa prej tyre nuk janë në përgjegjësi të Komunës. Ndonëse është një prej punëve më të vështira, në të njëjtën kohë është edhe prej punëve më interesante, sipas mendimin tim. Çdo ditë është e ndryshme, nuk është punë rutinore, por çdo ditë ballafaqohesh me probleme të ndryshme si dhe është një angazhim i vazhdueshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Ahmeti gjatë fjalimit të tij drejtuar nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës.
Ai tha se qëllimi ynë duhet të jetë që të punojmë në mënyrë që kushdo që vjen pas nesh ta ketë punën më të lehtë.

“Ne po mundohemi që t’i bëjmë reformat që jetën e qytetarit ta lehtësojmë edhe më shumë. Këtë vikend isha në vizitë në kryeqytetin e Zvicrës, në Bern, dhe natyrisht se atje jeta është shumë më e lehtë se sa që është në Prishtinë. Nuk merren me probleme të ujit, apo me problemet me mbeturina. Megjithatë, më duhet të them se edhe Berni dikur i ka pasur problemet me të cilat jemi duke u ballafaquar ne. Andaj, nuk duhet të zhgënjehemi dhe të themi se kjo është kulturë e jona apo që ne nuk dimë, por thjeshtë na duhen reforma dhe një grup i njerëzve që i çon përpara këto reforma me mbështetje të qytetarëve”, tha Kryetari Ahmeti.

Sipas Ahmetit, aktivizimi qytetar nuk do të thotë patjetër që të jepet kontributi vetëm duke u kyçur në politikë, por që ta japim kontributin tonë për të mirën e përgjithshme, pavarësisht profesionit.

Nxënësit që janë pjesë e këtij projekti të mbështetur nga UNDP dhe Swiss Cooperation Office Kosovo, gjatë ditës vizituan edhe Drejtoritë e Komunës.