- 08 Dec 2014
Gjendja e rëndë sociale, mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, ujërat e kanalizimeve, ngritja e sigurisë para shkollës “Zenel Hajdini”, siç janë shtyllat antiparking dhe barrierat në vendkalimin para shkollës, kanë qenë disa nga kërkesat e banorëve të lagjes “Kodra e Trimave”. Ata kishin edhe ankesa lidhur me shtrimin e rrugëve në të kaluarën shkaku i cilësisë së dobët, si dhe kërkuan sanimin e gropave që ishin hapur në disa rrugë të kësaj lagjeje si pasojë e mospërgjegjësisë së punëkryesit.
Pasi që i dëgjuan kërkesat e banorëve të kësaj ane, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti iu premtoi të pranishmëve se shumë nga ankesat e tyre do të merren parasysh menjëherë. Ahmeti i informoi të pranishmit se në shtyllat antiparking do të vendosen në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, në vendet ku vlerësohet se është e rëndësishme. Ai tha se është i vetëdijshëm se lagjja “Kodra e Trimave” dhe “Kolovica”, janë dy prej lagjeve me situatën më të rënduar sociale pasi që siç u shpreh ai, nga bashkëbisedimi i përditshëm me qytetarët e Komunës së Prishtinës, nga këto lagje ka më së shumti kërkesa për asistencë sociale.
Banorët e kësaj lagje po ashtu u ankuan se parku i kësaj lagje është në gjendje të mjerë dhe pa përkujdesje dhe kërkuan intervenimin e Komunës. Njëkohësisht, ata kërkuan nga kryetari Shpend Ahmeti që Komuna ta ushtrojë autoritetin e saj për pronat komunale që janë të uzurpuara dhe në ato prona të bëhet zgjidhje për kërkesa të qytetarëve, siç është hapja e një çerdhe, ndërtimi i një shtëpie të kulturës, etj.
Në këtë diskutim publik ku të pranishëm ishin edhe drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Genc Bashota dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu, banorët e lagjes “Kodra e Trimave” patën rastin të njihen edhe me procesin e legalizimit, si dhe me projektet e Komunës e cila synon që të stimulojë rëndësinë e shkollave profesionale duke i ndërlidhur ato direkt me bizneset, gjë që do të gjenerojë vende të reja të punës.
Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” u shprehën të kënaqur me projektin e shujtave, pasi që siç u shprehën, kjo ka qenë një ndihmesë e madhe për gjendjen e tyre të rënduar sociale. Ata njëkohësisht ishin falënderues edhe për vendosjen e mburojave tek ura që ndodhet në këtë lagje,me ç’rast është ngritur siguria në komunikacion.