- 19 Jul 2017
Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me Drejtorin e Kulturës Besart Vllahinjën, vëzhguan sot fillimin e punimeve për renovimin e Teatrit “Dodona”.
Ahmeti tha se ky Teatër ka rëndësi të veçantë për Komunën e Prishtinës, si teatër për fëmijë dhe si alternativë e Teatrit Kombëtar. “Me këtë dëshirojmë që të hapim një etapë të re, me emërimin e bordit të ri drejtues, e shumë shpejt do ta kemi edhe konkursin për drejtor të këtij teatri. Ideja është që t’i shtojmë aktivitetet e “Dodonës” dhe të lidhim bashkëpunime edhe me teatro tjerë. Do të ndërtojmë një trupë rezidente të aktorëve, më të madhe se që ka qenë deri tash, me ç’rast presim rritje të prodhimit nga ky teatër”, tha ndër të tjera Ahmeti, duke shtuar se “Dodonës” do t’ia rikthejmë namin që e ka pasur.
Drejtori për Kulturë, Besart Vllahinja, tregoi detaje të punimeve që do të kryhen, të cilat do t’i kushtojnë Komunës rreth 60 mijë euro. “Me këtë projekt, planifikohet të rinovohet pjesa tek porta hyrëse e “Dodonës”, skena, salla, pjesa e sanitarisë si dhe çatia. Në kuadër të përmirësimit të kushteve të stafit, ne tashmë jemi duke e përgatitur rregulloren e re që do të del në diskutim publik shumë shpejt, përmes së cilës do të rritet kontrolli, transparenca dhe llogaridhënia për mjetet që inkasohen nga institucionet e kulturës”, theksoi Vllahinja.