- 15 Dec 2017
Përfaqësues të Komunës së Gostivarit vizituan dje Komunën e Prishtinës. Shefi i kabinetit të kryetarit, Seadin Ejupi, Shefi i zyrës për komunikim me publikun, Jasin Demiri dhe Këshilltari për sisteme të informacionit, u priten nga Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.
Në këtë takim u diskutuan në detaje reformat që janë zbatuar në Administratën e Prishtinës, projekte këto që kanë rezultuar shumë të suksesshme si dhe me shërbime shumë të shpejta për qytetarë. Ndër temat e diskutimit ishin dixhitalizimi i shumë shërbimeve, menaxhimi i radhëve, e-Kiosku, e-Inspekcioni, dhe projekte të ngjashme që kanë ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Komuna e Prishtinës është e gatshme që përvojën e vetë në qeverisje të mirë ta shpërndajë sa më shumë në komunat shqiptare, ku pas Ulqinit, Preshevës, Tetovës tash edhe Gostivari interesohet për aplikimin e reformave të njëjta, në mënyrë që përmes projekteve që kanë rezultuar të suksesshme në Prishtinë të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve në komunat e tyre.