- 21 Jan 2018
Ftohen PRONARËT E BANESAVE KOLEKTIVE (ndërtesave të banimit në bashkëpronësi) të marrin pjesë në takimin e përbashkët me ç’rast do të prezantohet projekti “Krijimi i Shoqatave të Pronarëve (SHP-ve) të Ndërtesave të banimit në bashkëpronësi”. Ky projekt është i financuar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me komunën e Prishtinës.
Në kuadër të këtij projekti, komuna e Prishtinës është zotuar për të ndërmarrë hapa proaktivë në inkurajimin e formimit të Shoqatave të pronarëve në mënyrë që ato të mund të angazhohen për të ndërmarrë masat për Efiçiencë të Energjisë në ndërtesat e tyre me qëllim përmirësimin e komoditetit dhe kursimit të energjisë.
Përmes shprehjes së interesit tanimë të hapur, projekti parasheh përzgjedhjen e maksimum tri ndërtesave kolektive në komunën e Prishtinës, të cilat do të përfitojnë:
• Asistencë në krijimin e Shoqatave të pronarëve dhe regjistrimin e tyre;
• Auditimin e detajuar të energjisë në ndërtesë që është parakusht për hartimin e projektit kryesor për renovimin e ndërtesave me theks të veçantë zbatimin e masave për kursim të energjisë: izolimi i fasadës, kulmit, dyshemesë, ndërrimi i dritareve dhe derës së hyrjes, instalimi ose përmirësimi i ngrohjes qendrore dhe të ngjashme. Auditimi do të ndihmojë të përcaktojë investimet më të dobishme në mënyrë që të reduktojë kostot e energjisë duke ruajtur ose rritur nivelin e komoditetit në banesa;
• Projektin kryesor me paramasë dhe parallogari dhe planin finaniar me koston e investimeve të nevojshme për zbatimin e masave të Efiçiencës së Energjisë dhe identifikimin e mundësive të sigurimit të fondeve për këtë qëllim;
• Përgatitjen e dokumentacionit për tenderim për masat që duhet të zbatohen si dhe përgaditjen e dokumentacionit për negocim të kontratës me punëkryesin.
Për informimin më të mirë ftoheni të merrni pjesë në takimin informues që do të mbahet me datën
26 Janar 2018, prej orës 10:00-11:30, në sallën e Kuvendit Komunal, objekti i vjetër i komunës
së Prishtinës.
Shpresojmë në interesimin tuaj për t’ju përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në takim.
F T E S A