- 14 Mar 2018
Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota hapi punëtorinë një ditore në të cilën u prezantua projekti “Lëvizshmëria/Mobiliteti i Qëndrueshëm Urban në shtetet e EJL-së” (ang. SUMSEEC), një platformë për mbështetje të qyteteve nga këto shtete drejt një transporti më të qëndrueshëm, më të pastër dhe më efiçient në aspekt të energjisë. Në këtë punëtori morën pjesë anëtarë të misionit dhe përfaqësues të GIZ-it dhe përfaqësues të asociacionit të Komunave të Kosovës.
Anëtarët e misionit të GIZ-it, prezantuan përvojat e tyre nga rajoni si dhe sfidat që i kanë hasur gjatë proceseve të ndryshme në hartimin, lansimin, zbatimin dhe monitorimin e vazhdueshëm të projekteve të mobilitetit, ndërsa përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës prezantuan punën e deritanishme dhe Planin e Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për kryeqytetin.
Në ketë punëtori u diskutua rreth hapave të ardhshëm për një mobilitet të qëndrueshëm si dhe mundësive për përkrahje në lansim dhe zbatim të planit dhe mbështetje në krijimin e njësisë për mobilitet dhe transport, kampanjave vetëdijësuese dhe mundësinë e përkrahjes së pilot projekteve te dala nga plani i mobilitetit”