- 20 Mar 2018
Komuna e Prishtinës u vizitua sot nga një delegacion i Komunës Selçuk-Konya, me në krye nënkryetarin Ziya Yalçinkaya. Qëllimi i kësaj vizite ishte që bashkë me TIKA-n të konkretizojmë marrëveshjen për ndërtimin e Qendrës për Sindromë Down dhe Autizëm në Prishtinë.
Kryetari Shpend Ahmeti tha se javëve të fundit, me TIKA-n kemi jemi marrë vesh që ta bashkëfinancojmë ndërtimin e kësaj qendre, ky gjysmën e parave do t’i jep Komuna dhe shoqatat, e gjysmën tjetër qeveria turke përmes TIKA-s. “Lokacioni është ndarë afër stacionit të autobusëve. Përveç ndihmës financiare, kemi kërkuar ndihmë edhe në atë se si duhet të duket kjo qendër, e edhe si duhet të menaxhohet. Qendra jonë do t’i ketë disa nga terapitë kryesore, e deri tek trajtimi individual i secilit fëmijë”, tha ndër të tjera Ahmeti.
Nënkryetari i Komunës Selçuk-Konya, z. Yalçinkaya, tregoi për mënyrën e funksionimit të qendrës për Autizëm në Komunën e tij. “Është një qendër shumë e madhe, ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në botë, ku përveç arsimimit dhe edukimit ofrohen edhe të gjitha llojet e terapive që janë të nevojshme për fëmijët me Autizëm. Falënderoj të gjithë akterët që i kanë ndërmarrë hapat konkrete për ndërtimin e një qendre të ngjashme në Prishtinë, qendër kjo qe besojmë se do të jetë shumë e suksesshme”, theksoi Yalçinkaya.
Pjesë e delegacionit nga Turqia ishin edhe profesorë dhe ekspertë të arsimimit special, të cilët do të na tregojnë përvojat e tyre të deritashme, duke ndikuar kështu në rritjen e cilësisë së menaxhimit të qendrës që do të ndërtojmë.