- 26 Jun 2018
Drejtori i Pronës Dren Kukaj, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), mbajti konferencë për media së bashku me ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në këtë ndërmarrje, Hajdar Hoxha.
Dje, z. Hoxha në mënyrë të jashtëligjshme i është ndaluar qasja në objekt të NPB-së, edhe pse është thirrur ta menaxhojë ndërmarrjen.
“Në bazë të opinionit ligjor të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, shprehimisht thuhet se ‘kompetencat e Bordit të Drejtorëve i njihen Komisionit Komunal të Aksionarëve’. Në saje të këtij opinioni kemi gjetur bazën ligjore që ta emërojmë z. Hajdar Hoxha si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv”, tha ndër të tjera Dren Kukaj, përderisa tregonte kronologjikisht për vendimet e që janë marrë me të drejtë nga komisioni i aksionarëve. “Një grup njerëzisht në NPB, përkatësisht ish—Kryeshefi Ekzekutiv, Nexhat Kryesiu, dhe ish-anëtari i Bordit të Drejtorëve, Liridon Latifi, po qëndrojnë aty jashtëligjshëm. Bordit të Drejtorëve i ka skaduar mandati në janar të këtij viti, kurse Kryeshefit Ekzekutiv në fund të marsit. Pra, i kemi dy organe, që qëndrojnë pa mandat brenda ndërmarrjes dhe pamundësojnë funksionimin e saj”, tha Kukaj.
Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Hajdar Hoxha, që nga data 30 prill kur është emëruar, ende nuk ka mundur ta ushtrojë funksionin e tij. “Shkelje të tilla po ndodhuin për çdo ditë. Sot kemi pranuar edhe një raport nga Inspektorati i Punës, lidhur me suspendimin e ish-udhëheqësit të financave, Bashkim Beha, nga ana e ish-Kryeshefit Ekzekutiv, Nexhat Kryeziut. Inspektorati i Punës hedh poshtë vendimin e Kryeziut, dhe i jep të drejtë z. Beha. Ky vendim përveç tjerash i shkakton pasoja financiare ndërmarrjes, ngase tani duhet ta paguajmë retroaktivisht z. Beha për 4 muaj që nuk ka ushtruar funksionin e tij”, tha Hoxha, i cili kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës ashtu që të arrijë ta kryejë detyrën e tij zyrtare.
Ndërmarrja i ka organet e veta legale dhe legjitime, organe këto që po iu pamundësohet kryerja e detyrës zyrtare nga ish-Kryeshefi Ekzekutiv dhe ish-anëtari i Bordit të Drejtorëve. Nuk mund të lejojmë bllokim të tillë të NPB-së. Kryeziu dhe Latifi, nuk kanë mandat.