- 25 Jul 2018
Kryetari Shpend Ahmeti priti sot në takim Kryetarin e ri të Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi, bashkë me përfaqësues të disa shoqatave që veprojnë brenda Odës.
Në këtë takim u diskutua për fuqizimin e bashkëpunimit në mes të Komunës dhe Odës Ekonomike, me ç’rast do të formohet edhe grupi i përhershëm i komunikimit ku do të adresohen çështjet e përbashkëta.
“Dy fushat që kërkojnë komunikim më të shpeshtë mes nesh janë ndërtimtaria dhe gastronomia. Me të parët, që nga procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit e deri tek pranimi teknik dhe certifikata e përdorimit; kurse me të dytët, për çështjet si orari e punës dhe shfrytëzimi i hapësirave publike për tarraca”, theksoi Ahmeti, përderisa shpjegonte nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë mes Komunës dhe Odës.
Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Odës Ekonomike, z. Berat Rukiqi, tha se Prishtina si Komuna me më së shumti kontribut në rritje të GDP-së dhe në rritje të vendeve të punës, “Ne besojmë që në kuadër të legjislacionit të përgjithshëm mund të gjenden mekanizma stimulues për investime në Komuna, veçanërisht në Komunën e Prishtinës. Do t’i kushtojmë rëndësi lobimit edhe në institucione të nivelit qendror për ndryshime të nevojshme ligjore ashtu që të lehtësohen tutje investimet e huaja direkte”, tha Rukiqi.