- 14 Aug 2018
Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Genc Bashota, mbajti sot konferencë për media ku shpjegoi procesin e hartimit të Hartës Zonale, apo thënë ndryshe planit rregullativ të tërë qytetit.
Kuvendi Komunal tashmë ka miratuar vendimin për inicimin e hartimit të PZhK-së dhe Hartës Zonale. Procesi që nga fillimi i hartimit e deri në përfundim, pritet të zgjasë rreth 18 muaj. Përpilimi i këtyre dokumenteve mundëson korrigjimin e gabimeve që i kemi trashëguar nga e kaluara, ku shpeshherë planet rregulluese kanë qenë në shpërputhje me Planin Zhvillimor Urban.
Për katër vite me radhë, është punuar në vazhdimësi në fazat paraprake të hartimit të Hartës Zonale. Gjatë viteve 2014-2018, janë regjistruar në sistemin GIS të gjitha objektet në qytet, janë bërë të gjitha matjet gjeodezike të nevojshme, dhe janë regjistruar të gjitha instalimet infrastrukturore të Prishtinës. Tani jemi në përfundim e sipër të analizës së banimit, analizë kjo që e qartëson nevojën për banim, numrin e banesave ekzistuese, numrin e banesave që shfrytëzohen dhe atyre që janë të zbrazëta.
“Aktualisht, jemi ne proces të formimit të Komitetit Konsultativ si dhe Grupit Punues. Komiteti Konsultativ ka në përbërje ekspertë të jashtëm, që vijnë nga Instituti për Planifikim Hapësinor (MMPH), Qendra Rajonale për Trashëgimi, Universiteti i Prishtinës, Asociacioni i Arkitektëve, OJQ-të, Oda Ekonomike e Kosovës, GIZ, UN Habitat, CHwB dhe Oda Ekonomike Amerikane. Pra, do të jetë një grup i madh i njerëzve që do të përfshihen, ashtu që rezultatet e këtij procesi të jenë sa më të mira. Kurse, Grupi Punues do të udhëhiqet nga Kryetari i Kryeqytetit, dhe në të do të marrin pjesë të gjitha drejtoritë”, theksoi Drejtori Genc Bashota, përderisa shpjegonte mënyrën e si do të hartohen këto dokumente.
Planifikimi në zona të veçanta dhe ku ka toka komunale me vlerë, do të ketë për qëllim rritjen ekonomike të qytetit, posaçërisht në dhënien në shfrytëzim të tokave për prodhim dhe për vende të punës. Po ashtu Harta Zonale do ta ketë parasysh ruajtjen e tokës bujqësore në Kryeqytet.
Harta Zonale do të jetë e barabartë, dhe nuk do të diskriminohen qytetarët siç ka ndodhur në të kaluarën. Në raste kur në tokën private të dikujt ka interes publik, ai qytetar ka të drejtë ta bartë koeficientin e ndërtimit në zonën e ndërtimit. Kësisoj, edhe ruhet interesi i qytetarit, edhe zhvillohet infrastruktura publike. Harta Zonale dhe dokumentet tjera të planifikimit do të kenë për qëllim përfitimin e pronësisë për Kryeqytetin përmes koeficientit. Pra, shpronësimet do të bëhen me koeficient të ndërtimit, e jo më me para. Përmes politikave të tilla, do ta ruajmë vlerën e pronës së Kryeqytetit, dhe në të njëjtën kohë do ta shtojmë pasurinë e përbashkët të tij.