- 29 Oct 2018
Kryetari i Kryeqytetit, z. Shpend Ahmeti, priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Në këtë takim pune u diskutuan çështjet për të cilat Qeveria dhe Kryeqytetit ishin zotuar për bashkëpunim në takimin e mëparshëm, për të parë se deri ku është punuar për secilin prej tyre.
Kësisoj, u fol për Ligjin për Kryeqytetin, me ç’rast Prishtina do të vazhdojë bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë për Policinë e Kryeqytetit, respektivisht Spitalin e Qytetit; për Pallatin e Rinisë, të cilin gjatë kësaj jave Kryeqyteti do ta regjistrojë si Ndërmarrje Publike; për Sallën Koncertale, pasi që Qeveria mori vendim për shpronësim dhe u hap rruga që objekti i Gërmisë të konsiderohet si lokacion për këtë sallë, duke u kujdesur që të ruhen vlerat e mundshme të trashëgimisë kulturore; Unazën e Prishtinës, që tash do të bëhet studimi i fizibilitetit; si dhe projekte të tjera për të cilat dy institucionet mund të bashkëpunojnë në të ardhmen.
Ahmeti dhe Haradinaj theksuan se do të angazhohen së bashku në mënyrë që projektet e mëdha që ndërlidhen me Kryeqytetin të realizohen sa më parë, me theks të veçantë në projekte infrastrukturore të rëndësishme për qytetarët, por edhe në projekte të tjera që janë të domosdoshme për Prishtinën si Kryeqytet i Republikës.