- 22 Nov 2018
Shfaqja bazohet në veprën më të njohur të autorit francez, Antoine de Saint-Exupéry.
“Princi i vogël” është një prej kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë, e përkthyer në mbi 250 gjuhë e dialekte, shitur në mbi 250 milionë kopje.
Gjithnjë e më shumë, në çdo shoqëri - përfshirë Kosovën - po thellohet hendeku i keqkuptimeve mes gjeneratave. Mungesa e trajtimit në mënyrë adekuate të të rriturve ndaj fëmijëve, po e thellon edhe më tej këtë hendek. Kjo është mbase tema qendrore e veprës, por edhe arsyeja e nevojës së inskenimit të kësaj shfaqjeje në teatrin “Dodona”.
Princi jeton në një planet të vogël, për të cilin kujdeset vazhdimisht, me të cilin jeton në harmoni e nuk e ka asnjë problem. Dëshira e Princit për të ditur se çfarë ka në yjet që e mbushin qiellin, e shtynë atë që të marrë një rrugë: të udhëtojë në planetët e ndryshëm, të mësojë se kush jeton në to dhe se çfarë bëjnë banorët e viseve të reja që ai i viziton.
Kudo që shkon Princi, takon banorë të çuditshëm të cilët e thellojnë edhe më tej bindjen e tij se të rriturit vështirë kuptohen dhe se me të vërtetë janë të çuditshëm.
Në planetin e fundit, në Tokë, përveç njerëzve ai takon edhe kafshë të ndryshme. Ai më në fund kupton se ajo që është e rëndësishme në jetë nuk shihet me sy, por se shihet vetëm me zemër. Nga ky moment, Princi kërkon një mënyrë të kthehet në planetin e tij, tek Lulja që e pret.
Pra, “Princi i vogël” është një temë aktuale për shoqërinë e Kosovës, për të kuptuar më mirë fëmijët dhe për të punuar më shumë për të ardhmen e tyre. Bota e fëmijëve është përplot imagjinatë, mirësi e dashuri dhe këtë e tregon kjo vepër nga e cila secila gjeneratë mund të mësojë diçka.
Nga: Antoine de Saint-Exupéry
Dramatizimi dhe regjia: Valdet Rama
Konsulente: Melihate Qena
Luajnë: Roza Berisha-Fejzullahu, Avni Hoti, Valdet Rama
Kukullat dhe skenografia: Valdet Rama
Dizajni dhe fotografitë: Fahredin Spahija
Muzika: E përzgjedhur
Mjeshtër ndriçimi: Skender Latifi
Punëtorë skene: Bedri Maloku, Fadil Bekteshi, Albert Gashi
Për moshat: 3+
Për informata mund të thirrni në 038 230 623
Shënim: Në programin e TQP Dodona për muajin nëntor 2018 ishte planifikuar që këtë të shtunë të jepet shfaqja “Përgjithmonë ujk”, por për arsye teknike “Përgjithmonë ujk” nuk mund të shfaqet këtë javë dhe në vend të saj do të shfaqet “Princi i vogël”. Ju faleminderit për mirëkuptim.