- 28 Dec 2018
Kryetari Shpend Ahmeti nënshkroi marrëveshje mirëkuptimi me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës për fillimin e bashkëpunimit në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe planifikimit hapësinor, qe do të kontribuojnë në zhvillimin e programit komunal, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Përmes kësaj marrëveshje Asociacioni i Arkitektëve me përfaqësuesit e vet do të jetë pjesëmarrëse në proceset zhvillimore të Komunës duke filluar nga planet rregulluese e deri te ato urbane komunale, si dhe do të ofrojë ndihmën profesionale në fazat e ndryshme të implementimit të projekteve kapitale për Komunën.
Poashtu, u dakordua për koordinimin e përbashkët në njohjen, ruajtjen dhe përmirësimin e gjendjes së trashëgimisë kulturore me theks të veçantë në arkitekturë dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin e arkitekturës si pjesë e trashëgimisë kulturore.
Në këtë takim u be prezentimi i "Bienales se Arkitekturës 2018" për të cilën në muajin shkurt do të organizohet edhe mbrëmja në të cilën do të shpallen fituesit.