Bashkëpunimi mekanizëm i fuqishëm për avancimin e proceseve reformuese që janë duke u zhvilluar në sistemin e arsimit parauniversitar

- 04 Jan 2019

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi gjendjen e reformave që janë duke u zhvilluar në sistemin e arsimit parauniversitar të Republikës së Kosovës dhe veçanti zbatimin në praktikë të kurrikulës së re, ka identifikuar se në këtë segment ka nevojë për mbështetje profesionale dhe në mënyrë permanente nga institucionet e nivelit qendrore dhe atij lokale.       

                             
Andaj, DKA-ja për t’ju përgjigjur këtyre zhvillimeve reformuese që janë duke u zhvilluar në sistemin e arsimit parauniversitar, ka ndërmarrë veprime konkrete në shumë dimensione, në mënyrë që proceset e filluara të gjejnë zbatueshmëri të duhur në institucionet tona.

Në funksion të këtyre zhvillimeve DKA-ja, në koordinim me drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore kanë hartuar planin e bashkëpunimit në mes shkollave-mësimdhënësve për vitin shkollor 2018-2019, duke inkorporuar tema esenciale të cilat janë determinuese për mbështetjen e proceseve reformuese, që janë duke u zhvilluar në sistemin e arsimit parauniversitar.

Prandaj, sot më datë 04 janar 2019, në funksion të këtyre proceseve arsimore u zhvilluan takimet bashkëpunuese në tri qendrat e caktuara, si në: SHFMU “Dardania”, SHFMU “Hilmi Rakovica” dhe SHFMU “Faik Konica”, ku në këto takime morën pjesë mësimdhënësit e 19 shkollave fillore të komunës sonë dhe në mënyrë që takimet e  bashkëpunimit të rrjedhë sipas standardeve dhe kërkesave të parapara, në secilën fushë të kurrikulës janë caktuar trajnerë kompetent dhe profesional për mbështetjeje të mësimdhënësve me  këshilla profesionale.

Po ashtu, mësimdhënësit në këto qendra të takimit u vizituan edhe nga drejtori i arsimit z.Jonuz Salihaj dhe koordinatori i kurrikulës në nivel komune z.Fatos Osmani, për t’i inkurajuar dhe mbështetur mësimdhënësit në këtë proces.

Pra, me këtë plan dinamik rol kyç do të jetë forcimi dhe bashkëpunimi në mes shkollave, mësimdhënësve dhe aktiveve profesionale (seksioneve) të shkollave, duke  u mobilizuar për procese progresive, sepse mësimdhënësit janë promotor të këtyre zhvillimeve reformuese.

Andaj, bashkëpunimi në mes shkollave, aktiveve apo fushave të kurrikulës do të jenë të koordinuar mirë, në mënyrë që proceseve reformuese t’ju përgjigjemi bashkërisht dhe në mënyrë profesionale.

Po ashtu, duhet theksuar se mësimdhënësit tonë po tregojnë përkushtim të madh, që kurrikula e re në institucionet tona të gjen zbatueshmëri, sipas kërkesave dhe standardeve të kërkuara, sepse përmes këtij dokumenti zyrtar po synojmë të ndërtojmë një sistem të mirë të arsimit dhe të harmonizojmë sistemin e arsimit të Kosovës, me sistemin e arsimit të shteteve të zhvilluara evropiane, duke ngritur dhe përmirësuar edhe cilësinë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie.