Fillojnë vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta

- 04 Mar 2019

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës dhe me mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit ka filluar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit shkollave në Kryeqytet.

Këto vizita organizohen për të pestin vit me radhë dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në shkolla, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor. Gjatë këtyre vizitave, viteve të kaluara, janë identifikuar shumë patologji, të cilat kanë ndihmuar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Drejtorinë e Shëndetësisë të merr masat e duhara për evitimin e tyre në të ardhmen.

Këtë vit, të gjithë fëmijët do t’iu nënshtrohen kontrolleve për herë të dytë, pasi që vitin e kaluar është plotësuar cikli prej katër viteve, me ç’rast në kontrollë sistamatike janë përfshirë të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri te klasa e nëntë. Kjo mundëson krahasimin me rezultate konkrete dhe të matshme për shëndetin e të gjithë nxënësve dhe masave konkrete që pritet pastaj të ndërmerren bazuar në këto rezultate.

Duke marrë shkas nga kjo situate dhe rëndësinë që këto vizita kanë në shëndetin e fëmijëve, lusim të gjithë prindërit e fëmijëve, për bashkëpunim dhe koordinim të plotë me stafin shëndetësor si dhe me mësuesit dhe kujdestarët e klasave përkatëse.