- 12 Apr 2019
Dita e Tokës është një ditë e veçantë e dedikuar për të gjithë ata që u intereson të kujdesen për Tokën. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e mundësive për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Dita e Tokës festohet çdo 22 prill në më shumë se 175 vende të botës, dhe festohet nga më shumë se 500 milionë njerëz. Kjo shifër renditet në ditën e tretë në botë në lidhje me festat që festohen. Dita e Tokës filloi të shënohet që nga viti 1970.
Zyrtarisht, Kombet e Bashkuara e shënuan 22 prillin si Dita e Tokës dhe muajin prill si muaji i Tokës. Kjo ditë festohet në mbarë botën me një shumëllojshmëri aktivitetesh të tilla si pyllëzime, fushata të ndryshme, shfaqje, panaire, etj.
Dita e Tokës është dita jonë, një ditë kur ne mendojmë për të gjitha mënyrat që ne mund të kontribuojmë në ruajtjen e mjedisit; në parandalimin e shkatërrimit të tij; si dhe na kujton ndotjen planetit.
Sigurisht, kjo ditë duhet të shërbejë për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se sa i rëndësishëm është mjedisi, dhe për të menduar ekologjikisht. Për t'u kujdesur për planetin tonë, ne kemi nevojë për angazhim çdo orë e çdo ditë.
Edhe pse duke punuar çdo moment për një qytet sa më të gjelbër dhe me ajr të pastër, Komuna e Prishtinës ka parë me shqetësim të madh nivelet e larta të ndotjes së ajrit, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit në kryeqytet, ku gjatë këtij sezoni pranveror në kuadër të planeve operacionale të gjelbërimit janë duke u mbjellur 5411 fidanë të shtatë varieteteve të ndryshme në qytet, si një përpjekje për të lehtësuar problemin e ndotjes së ajrit, dhe kësisoji kemi nisur iniciativën Bëhu mik i Tokës, iniciative kjo e cila ka filluar në vitin 2018, ku përveq aktiviteteve të shumta u mbjellën për një ditë hiq më pak se 712 drunj të rinj nga miqtë e Tokës.
Kësisoji, Komuna e Prishtinës, përkatësisht ekipi i Bëhu mik i Tokës fton të gjitha institucionet, organizatat, bizneset dhe banorët e Prishtinës, që me 22 Prill t'i bashkëngjiten aktiviteteve që organizohen në qytetin e Prishtinës me rastin e Ditës së Tokës. Poashtu, ju mund të organizoni aktivitetin tuaj individual dhe grupor.
Për Prishtinën tonë, për planetin Tokë, për të gjithë ne!
Bëhu mik i Tokës!
(Ky aktivitet organizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatat: Let's do it Kosova, TOKA, GAIA & GAC)