Sonte në T.Q.P "Dodona" premiera "Tango"

- 21 May 2019

SKENA E MBRËMJES-PREMIERË
Albana Muja në koproduksion me TQP Dodona

Tango

nga: Albana Muja
regjia: Ekrem Sopi

luajnë:
Anisa Ismaili
Rabije Kryeziu

kompozitor: Memli Kelmendi
fizarmonikë: Shkumbin N. Miftari
skenografia: Bujar Selimi
fotograf: Avni Selmani
dizajner i dritave: Skender Latifi

“Tango”, vjen vetë me aurë kontemporane, ku personazhet janë në dilemë, të shkojnë drejt ferrit, parajsës apo të kthehen “ku” nuk ecën ora. Loja e tyre vazhdimisht përcillet me konflikt ,, real,,. Ngjarja ndodh në klinikën (stacionin) e fundit drejt “botës tjetër”, apo në klinikën e quajtur “dielli i zbehtë”. Roja e natës, një grua, e cila i terrorizon grate e tjera, është aty, aty janë edhe dy aktore, të cilat i ka shndërruar në leckë. Në “Tango”, në mënyrë përmbajtësore do të goditen të metat e “asaj” shoqërie. Dy grave të shtypura, tash u vjen koha që të shpërfaqin veten e tyre. Ato, njëkohësishtë, na bëjnë ta shohim edhe veten tonë. Pra duke e njohur veten e tyre në situata të caktuara, të cilat do të paraqiten në variantin dokumentar, i cili merret si bazë e teatrit kontemporan. Për ne si shikues do të ngrihen shumë pyetje. Ato janë femra, janë nana, kanë profesione, pasione, qëllime, brenga, kërkojnë përkrahjen, të vetmen gjë, që vendi i tyre nuk ua jep dot. Ato janë të paplotësuara në çdo aspekt të jetës, ato vazhdojnë ta njohin, prekin mungesën e tyre. Praktikisht ne jemi personazhi, duke rrespektuar teatrin kontemporan që të mos fshehim asgjë. Këtu i jepet rëndësi tërësore substancës, pothuajse nuk fshihet asgjë, gati gati gjithçka është reale. Proceset kreative janë të dukshme, humane. Nuk do ta fshehim teatrin e të shfaqim iluzion, por do të krijojmë gjithçka para publikut. Nuk do ta fshehim anën teknike, por do ta fokusojmë atë artistike. Do të përdorim sallën si të thatë të virgjër, ku do të ekspolorojmë përbrenda audiencës e cila do ta besojë. Kur e sheh një koncentrim të madh si elementi bazë i teatrit postmodern dhe dramës postdramatike, ku aktori do ta ketë një butësi që të paraqitet në tërësinë e vet, me sensualitet dhe me një koncentrim jo të natyrshëm… Dhe nga kjo ‘ngjyrë’ buron edhe muzika. …Skenat e dashurisë, me detaje erotike, do të krijohen e do të mbështillen me bukurinë e mendjes dhe me puthje unike të çuditshme, por të besueshme dhe gjithçka në harmoni me thelbin e shfaqjes. Do të luajmë me shtazaraken e njeriut, si ton i thekshëm i teatrit postmodern… ‘Tango’ do të ndjekë, jo vetëm madhështoren por edhe të renë. Ana abstrakte është me shumë sensualitet për arsye të kulturave te ndryshme. Nuk do të ketë simbole për hirë të simboleve, por simbole përmbajtësore dhe të lexueshme. Transkulturalizmi dhe problemet njerëzore janë të përhershme dhe të përbotshme. Problemet e huaja për një lokalitet, ky lloj teatri i shndërron në probleme univerzale. Me qëllim të arritjes së kësaj gjendjeje, shfaqja do të ketë një atmosferë të ftohtë, ku vetë ngjarja tërheq shikuesin në një realitet tjetër, duke u zhytur ngadalë në ritmin e tyre organik që të hyjmë në një botë tjetër pa i trazuar. Regjia si theks sublim do t‘i bëjë aktorët të fokusohen nga teksti në veprim permanent, ku përmes vallëzimit, këndimit, lojës, çjerrjes do të paraqiten veset njerëzore univerzale drejt konflikteve më të thella, do ta eksplorojmë njeriun…
Ekrem Sopi

përkrahur nga:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Komuna e Prishtinës

Repriza e parë jepet të mërkurën më 22 maj, 2019, prej orës 21:00.

Çmimi i biletës: 3 EUR

Për rezervime mund të thirrni në 038 230 623, çdo ditë, prej orës 10:00 deri 16:00.

 

Eventi në facebook - Tango