- 25 Jun 2019
Kryetari Shpend Ahmeti priti në takim Kryetarin e qytetit të Des Moines, Iowa, Thomas Frank Cownie, me të cilin biseduan për konkretizimin e bashkëpunimit në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit në dy kryeqyteteve.
“Sot kam kënaqësinë ta kem këtu kryetarin Cownie, me të cilin diskutuam mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimit në mes të qyteteve tona, në një numër fushash. Iowa është një nga vendet me bujqësinë më të zhvilluar, me cilësi të lartë në arsim, dhe aktualisht një prej shteteve më të jetueshme në ShBA. Eshtë e njohur edhe për prodhimin e energjisë së ripërtërishme e deri tek investimet ku kompanitë si Google dhe Facebook dëshirojnë që të marrin përvoja nga Des Moines.
Për Kosovën në përgjithësi dhe Prishtinën në veçanti, praktikat dhe përvojat nga vendet e tilla, janë të mirëseardhura.” theksoi Kryetari Ahmeti.
Kryetari Cownie falenderoi Kryetarin Ahmeti për mikpritjen dhe shtoi - “Është nder për mua të jem këtu në Prishtinë, të jem pjesë e këtij moti të mire, në një dite të mirë dhe të shoh pjesë të bukura të këtij vendi të mrekullueshëm. Do të jem këtu dhe të shoh çfarë në të vërtetë është duke ndodhur dhe të sjell disa nga përvojat tona në edukim dhe në biznes dhe të shohim për mundësitë e bashkëpunimit dhe të ndajmë eksperiencat e tona. Por, patjetër edhe të ndërtojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella, në kohën kur ne jemi kryetarë, por edhe për brezat e ardhshëm. Mendoj se kjo është me rëndësi për fëmijët tanë, të ndërtojmë jetët tona në vende ku jemi më mirë se sot”.