Rrjedha e ngjarjeve lidhur me gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë

- 06 Sep 2019

Pas raportimit të mediave për ngjarjet e djeshme lidhur me gjimnazin “Ahmet Gashi”, për hir të korrektësisë po ju informojmë për të gjitha veprimet që janë marrë nga ana e Komunës së Prishtinës lidhur me këtë temë.

Vendimi për dislokimin e përkohshëm të nxënësve është marrë në muajin qershor, mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e seizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës.

Paraprakisht është organizuar takimi me tre drejtorët e shkollave “Ahmet Gashi”, “Emin Duraku” e “Sami Frashëri” në mënyrë që të krijohen dhe koordinohen kushtet për punë pa pengesa, për nxënësit dhe mësimdhënësit. Në atë takim, të gjithë janë dakorduar që dislokimi i nxënësve të fillojë me 2 shtator 2019.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të shkollës, me datën 17 korrik, është diskutuar vendimi i Komunës për dislokim, dhe informata është përcjellë tek të gjithë pjesëmarrësit.

Përkundër pretendimeve se askush nuk është takuar me protestuesit, dje, pas protestës para ndërtesës së Komunës, Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën Shpresa Shala kanë takuar edhe përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e gjimnazit ”Ahmet Gashi”. Në takim është diskutuar dhe sqaruar situata e krijuar. Poashtu, u dakorduan se do të bëhet rivlerësimi i stabilitetit të objektit, I cili do të ndihmojë të vendoset nëse objekti ka nevojë për renovim të terësishëm apo rindertim nga e para.

Për më tepër, Drejtoresha e Arsimit Shpresa Shala mbajti konfereëncë para të gjitha mediave, të cilat për fat të keq, nuk arritën të e raportojnë dhe informojnë drejt dhe qartë këtë temë, duke i dhënë një kahje krejtësisht të gabueshme në publik.

Përfundimisht, zhvendosja e nxënësve bëhet menjëherë.

Nuk bëjmë kompromise me sigurinë e jetës së fëmijëve tanë!

#gjimnazi #AhmetGashi