Prezantohet projekti “Banimi me kosto të përballueshme”

- 26 Sep 2019

Kryetari Shpend Ahmeti dhe Drejtori për Mirëqenje Sociale, Dren Kukaj prezentuan projektin “Banimi me kosto të përballueshme”, e që është projekti më i madh në fushën e banimit dhe mirëqenjes sociale jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Kosovë.

Banimi është një prej çështjeve, të cilën nuk e kanë të zgjedhur një pjesë e madhe e punëtorëve të sektorit publik sepse për shumicën është financiarisht i papërballueshëm.

Koncepti i projektit “Banimi me kosto të përballueshme” është dizajnuar duke e marrë këtë fakt për bazë.

Një lagje e tërë e urbanizuar, me 600 njësi banesore, do të ndërtohet në Bërnicën e Poshtme, vetëm 4 kilometra larg Qendrës së Prishtinës.

Lagja do të ketë edhe shkollën, çerdhen dhe qendrën e mjekësisë familjare.

Mbi 70% e lagjes do jetë në funksion të hapësirave të gjelbërta, hapësirave sportive, këndëve të lojrave, shtigjeve të vrapimit e çiklizmit, kurse banesat do të plotësojnë kushtet për akomodimin e familjeve mesatare.

Përfitues të banesave me kosto të përballueshme do të jenë punëtorët e sektorit publik, të cilët nuk e kanë të zgjedhur çështjen e banimit, ku grate dhe nënat vetëushqyese do të kenë përparësi.

Projekti është punuar në bashkëpunim të ngushtë me Ndërmarrjen Publike Banesore, Fakultetin e Arkitekturës dhe Asociacionin e Arkitektëve.

I falenderojmë shumë për të gjithë kontributin që ky projekt të merr formën që ka sot.

Në Prishtinë do të përfitojnë 600 familje të punëtorëve publik, ndërsa projekti shpresojmë të shërbejë si model për një politikë nacionale të banimit, e cila në fokus të saj do ketë zgjidhjen e çështjes së banimit për qytetarët e Kosovës që vijnë nga shtresat e mesme dhe të varfëra në Kosovë.