- 15 Dec 2014
Sot Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti mori pjesë në “Ceremoninë e fillimit të furnizimit me ngrohje përmes sistemit të koogjenerimit” që u organizua në ndërmarrjen komunale “Termokos”.
Në këtë ceremoni me një fjalë rastit të pranishmëve pos kryetarit z. Shpend Ahmeti iu drejtuan edhe z. Arsim Janova, Kryeshef Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, Blerand Stavileci, Ministër Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Gjukaj, Drejtor menaxhues i KEK-ut, znj. Angelika Viets, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Christof Stock, Kryesues për bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Znj. Esther Gravenkötter, Drejtore e Zyrës së KfW-së për Kosovën e Maqedoninë dhe z. Felix Colsman, Drejtor menaxhues “Imtech”, anëtar Bordi nga Holanda.
Fjalimi i plotë i Kryetarit Shpend Ahmeti
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale dhe ndërkombëtare, më lejoni së pari që në emër të Komunës së Prishtinës të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë projekt, natyrisht Komisionin Evropian, Qeverinë Gjermane, KfW-në, Qeverinë e Luksemburgut, Qeverinë Suedeze e po ashtu edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për të realizuar dhe në mënyrë zyrtare edhe ta realizojmë apo edhe të themi se e kemi bërë edhe hapin e parë të zhvillimit të këtij projekti aq të rëndësishëm.
Mirëpo, arritja deri në këtë pikë ka pasur shumë diskutime dhe kundërthënie. Hiq më larg se para një muaji ishim me ish ministrin Fadil Ismajli duke diskutuar sepse duhet të mbyllej termocentrali B1 në një periudhë kur nuk kishte rrymë pa garancionin se për 11 ditë do të përfundohej. Dhe atëherë në diskutim të mbledhjes së Kuvendit Komunal, kur e diskutonim dhe e kërkonim përkrahjen që ta financojmë një pjesë të këtij procesi, një asamblist e bëri pyetjen se çfarë nëse edhe pas përfundimit të 11 ditëve, nuk do të përfundojë projekti dhe prapë do të jemi në një pozitë të vështirë. Pra, ishte me rrezik të plotë se edhe këtë dimër mund të përfundonim pa ngrohje me kogjenerim.
Kjo ide daton që një periudhë të gjatë, pra me dhjetëra vite, mirëpo realizimi po bëhet tani. Dhe sot mund t’ju them, ngaqë na shkruajnë shumë qytetarët, që mund të gëzohemi se e kemi këtë fazë, megjithatë ka edhe shumë për të punuar për të arritur deri te realizimi i plotë.
Lajmi i mirë i parë është se plot qytetarë po më shkruajnë duke kërkuar që ta ndalim pak ngrohjen se është bërë shumë nxehtë dhe është e vërtetë sepse edhe në ndërtesë të Komunës e cila është e lidhur me ngrohjen qendrore që më të vërtetë është ngrohtë dhe temperatura të tilla qytetarët e Prishtinës që kanë qenë të lidhur me ngrohjen qendrore, moti nuk i kanë pasur.
Lajmi i dytë është që më shkruajnë shumë qytetarë që më thonë se janë të lidhur me ngrohjen qendrore, pse disa lagje kanë e disa të tjera nuk ngrohen që do të thotë se ka mbetur faza e dytë – riparimi i nënstacioneve që të sigurojmë që të gjithë ata qytetarë që janë të lidhur me “Termokos”, por nuk kanë ngrohje sot, t’i riparojmë në fazën e dytë. Dhe natyrisht një pjesë e madhe e qytetarëve më shkruajnë dhe më thonë se nuk kanë lidhje fare me ngrohjen qendrore dhe do të kishin dëshirë që të jenë të lidhur në ngrohje.
Momentalisht i kemi 60 mijë qytetarë të lidhur me ngrohjen qendrore. Nga 370 mijë banorë të cilët jetojnë në qytetin e Prishtinës, ose 200 mijë me shifra zyrtare.
Me kapacitetin maksimal, me këto lidhje në termocentralin B1 dhe B2 ne do të kemi rreth 90 mijë qytetarë të lidhur në ngrohjen e kryeqytetit. Kjo do të rezultojë edhe me një kursim të madh me shfrytëzimin e energjisë elektrike. Mendohet se diku 60 megavat shpenzim do të kursehet vetëm në Prishtinë për shkak të njerëzve që tashmë ngrohen nga “Termokos"-i.
Në fund dua të them edhe një gjë lidhur me çmimin e ngrohjes ngaqë shumë qytetarë na pyesin se pse është çmimi i njëjtë si më parë kur janë ngrohur me lëndën e mazutit. Duhet që të gjithë ta kemi parasysh se ne sërish e paguajmë energjinë elektrike nga KEK-u dhe e kthejmë atë në energji termike. Domethënë shpenzojmë diku rreth 25 megavatë për ta kthyer në gjendjen më të mirë në 110 megavat energji termike. Kjo do të thotë se paguajmë, jo si mazuti natyrisht, por edhe për këtë ka një kosto.
Por e rëndësishme është se ndërmarrja “Termokos"-i, është ndërmarrje publike komunale, është pronë e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. Dhe si e tillë ne në vitet në vijim do të vlerësojmë nëse kostoja bie dhe i mbledhim faturat ashtu siç presim, me këtë rast edhe çmimi do të zbresë. Këtu nuk përfiton askush përveç qytetarëve të Prishtinës sepse të gjitha ato para të cilat mblidhen, shkojnë ose në kthimin e investimeve që janë bërë, ose në investime të reja. Prandaj, kur them se e falënderoj Qeverinë gjermane, atë e falënderojë edhe për të kaluarën, por edhe për të ardhmen.
Ne tashmë si Komunë e Prishtinës kemi zotuar rreth 1.8 milionë euro që së bashku me 4 milionë euro të qeverisë së Gjermanisë dhe 1.2 milionë euro të Qeverisë së Kosovës, e kemi përmbushur edhe zotimin për pjesën tjetër ku do të vazhdojmë me investime edhe për riparimin e nënstacioneve, edhe për zgjerimin e rrjetit të “Termokos"-it, si fazë e tretë në momentin që të shohim se çdo gjë është duke funksionuar mirë.
Unë e them se jam i lumtur që kjo po ndodh në kohën e mandatit tim, por nuk është kjo vetëm meritë e ndonjërit individualisht, kjo është meritë e të gjithë atyre që punuan. Andaj, më lejoni që t’i falënderojë të gjithë ata që kontribuuan, udhëheqësinë e “Termokos"-it, udhëheqësin e KEK-ut, edhe të gjithë ata që si institucione na ndihmuan që të mbërrijmë në këtë fazë.
Po e them se ende nuk po ia lejojë vetes të gëzohem sepse kam frikë se mos po bie blloku B1 prej sistemit, e kjo na shkakton probleme derisa të lidhemi me bllokun B2, megjithatë për situata të tilla i kemi siguruar edhe rezervat e mazutit për t’u kujdesur që këtë sezon qytetarët e Prishtinës ta kenë ngrohjen cilësore dhe mos të kenë probleme sikur gjatë viteve të kaluara.
Ju faleminderit