- 16 Dec 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot ka nënshkruar me Komisionin Evropian grantin në vlerë prej 400 mijë euro për krijimin e tregut të prodhimeve vendore. Vlera totale e këtij projekti është 500 mijë euro.
Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe koordinimin midis bujqve dhe përpunuesve në mënyrë që të sigurohet shitja më e shpejtë e produkteve vendore. Lidhur me këtë qëllim për herë të parë në Kosovë do të krijohet mundësia që në çdo lagje të madhe të Prishtinës të jetë tregu lëvizës me prodhimet
vendore. Fermerët e regjionit të Prishtinës do të kenë mundësinë të promovojnë dhe shesin prodhimet e tyre drejtpërdrejtë tek qytetarët, gjë që do të fuqizojë prodhuesit vendorë dhe do të krijojë vende të reja të punës.
Në bashkëpunim me Gratë në Biznes dhe CEED, nga viti i ardhshëm Komuna e Prishtinës do të ketë tri (3) tregje mobile të prodhimeve vendore që do të lëvizin në lagje të ndryshme të kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës në kuadër të përmbushjes së zotimeve për zhvillimin e bujqësisë, nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nis me zbatimin e politikave të reja zhvillimore, ndërsa theks të veçantë do t’i kushtohet sektorit të bujqësisë.
Në vitin 2015, në sektorin për bujqësi do të investohen 1 milion e 30 mijë euro, ose 250 mijë më shumë se në këtë vit. Në vitin 2016, dallimi buxhetor me vitin 2014 (buxhet i trashëguar nga qeverisja e kaluar prej 870 mijë eurosh), do të jetë 1 milionë euro. Kjo përkrahje do të reflektojë edhe në vitin 2017 për sektorin e bujqësisë ku planifikohen të ndahen rreth 2 milionë euro në kuadër të prioriteteve të Komunës.