Kryetari Ahmeti takim me Ndërmarrjen komunale të Trafikut Urban dhe Stacionin e autobusëve

- 18 Dec 2014

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti vizitoi sot ndërmarrjen e Trafikut Urban dhe Stacionin e autobusëve. Gjatë takimit me udhëheqësit dhe sindikatën Kryetarit Ahmeti iu adresuan ankesat që tash e sa vite janë brenga themelore të tyre, si, rritja e të ardhurave personale, kompensimi i pagave të mbetura borxh nga viti 2006 si dhe lirimi i tregut nga operatorët ilegalë.

Ahmeti tha se synon të forcojë trafikun urban dhe me arritjen e autobusëve të rinj, si dhe politikave që parashihet të aplikohen nga Komuna transportin publik, atëherë do të rritet edhe numri i udhëtarëve që do të kërkojnë shërbimet e trafikut urban. Një prej qëllimeve në të ardhmen mbetet edhe korsia e veçantë për autobusë të linjës urbane. Në këtë kuptim.

“Kam kërkuar që të vizitojë të gjitha kompanitë dhe përpos drejtorëve, të takojë edhe punëtorët, edhe sindikatën që t’i diskutojmë hallet. Periudha tranzitore në Trafikun Urban, është periudha më e vështirë. Trafiku Urban i ka diçka më tepër se 1 milionë euro borxh. Prej tyre 600 mijë administratës tatimore, ndërsa më shumë se 300 mijë i ka borxh punëtorëve, respektivisht 22 paga për punëtorë. 14 vjet shkatërrim të kësaj kompanie nuk mund të rregullohen brenda një viti. Jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) sepse nuk është veç çështja që të paguhen rrogat, por edhe se si do të bëhet kjo kompani edhe më e fuqishme. Tashmë e kemi arritur dakordimin dhe kërkohet veç miratimi në Kuvend ngaqë është marrëveshje ndërkombëtare për ratifikim të marrëveshjes, ku Trafiku Urban merr kredi rreth 10 milionë euro me garancion të Komunës që janë për blerjen e 56 autobusëve të rinj. Dhe i kemi kompanitë më të fuqishme që janë të interesuara të marrin pjesë në këtë tender, prokurimin e te cilit do ta bëjë BERZH. Besojë se gjatë shtatorit ose tetorit të vitit 2015 do të fillojnë t’i sjellin autobusët e rinj. Në kontratën me BERZH – in i kemi disa pika: 1) blerja e autobusëve të rinj, 2) garazhat e reja, 3) ristrukturimi i kompanisë sa i përket menaxhimit dhe ndërtimi i stacionit multimodal ku lidhet stacioni qendror i autobusëve me trafikun urban”, tha Ahmeti.

Ahmeti, kërkoi nga të pranishmit që ta kenë parasysh se ekziston një plan i detajuar dhe se gjendja e tyre do të përmirësohet dukshëm.

Në fund të këtij takimi punëtorët e ndërmarrjes “Trafiku Urban” u shprehën optimist se së shpejti do të përmirësohet gjendja e tyre, ngaqë siç thanë, për herë të parë një kryetar komune i viziton dhe interesohet për ta.

Për dallim nga kushtet tejet të rënda në ndërmarrjen e trafikut urban, një situatë krejtësisht ndryshe ekziston në Ndërmarrje Publike Lokale. “Stacioni i Autobusëve” sh.a, Prishtinë

Kryetari Ahmeti nga Bordi dhe kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Stacionit i Autobusëve u njoh për së afërmi me periudhën e tranzicionit të kalimit të kompetencave nga niveli qendror, në atë komunal. I pranishëm në takim ishte edhe Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, i cili njëkohësisht është anëtar i bordit mbikëqyrës.

Me këtë rast, bordi e informoi kryetarin Ahmeti edhe me projektet që janë paraparë për vitin 2015 të cilat synohen të realizohen me mjete vetanake, ngaqë siç u shprehën, stacioni i autobusëve gjeneron të hyra të kënaqshme. Ata kërkuan nga autoritetet komunale përkrahje për tërheqje të investimeve me qëllim të përmirësimit të shërbimeve, në përputhje me politikat zhvillimore komunale. Tashmë është përgatitur statusi i ndërmarrjes, kanë hyrë në funksion rregulloret e reja, marrëveshje të reja me operatorët e ndryshëm. Kryeshefi i ndërmarrjes së Stacionit të Autobusëve e njoftoi kryetarin Ahmeti se së shpejti pritet edhe digjitalizimi i shërbimeve në stacion, si dhe krijimi i ueb faqe me informata konkrete për qytetarë.

“Planet e Komunës së Prishtinës ndërlidhen me Stacionin e autobusëve dhe në përgjithësi me transportin. Para se të vijë në këtë takim, vizitova Trafikun Urban. Një prej arsyeve ishte që t’i informojë që duke filluar nga vitit 2015, pas ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me BERZH, do të bëhet ridizajnimi i tërësishëm i linjave të trafikut urban. Projekti me BERZH i ka disa kompentete, ndërsa blerja e autobusëve është një prej tyre. Por, dy komponentet e tjera që janë tejet të rëndësishme janë plani i mobilitetit i cili e parasheh planin e tërësishëm të qarkullimit në Prishtinë. Në këtë projekt do të preket edhe koncepti i stacionit të autobusëve dhe transportit ndërkomunal. Është një studim që do të zgjasë rreth 8 muaj nga kompani të njohura botërore. Ndërsa pjesa e treta, që gjithashtu është e rëndësishme, është ndërtimi i garazheve të reja për trafikun urban. Është e rëndësishme edhe për ju si Stacion i Autobusëve sepse ne tashmë kemi një kontratë me Trafikun Urban për ofrimin e shërbimeve për transportin publik në Prishtinë, por ndërlidhja do të bëhet përmes stacionit multimodal që do të jetë qendra e trafikut në Prishtinë, lidhja e trafikut urban me stacionin e autobusëve”, tha Ahmeti që i informoi të pranishmit se linja kryesore në të ardhmen do të fillojë në stacionin e autobusëve dhe do të kalojë në unazën e brendshme me synim të arritjes së një sistemi të integruar të transportit publik, gjithnjë në shërbim të qytetarëve.

Ahmeti i njoftoi të pranishmit që janë duke u shqyrtuar modalitetetet që së shpejti të zgjidhet edhe problemi i ndalimit të autobusëve në rrethrrotullimin tek Veterniku, i cili është duke shkaktuar probleme shumë të mëdha në komunicion, përkundër faktit se një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.

Muhedin Nushi, anëtar i komisionit të aksionarëve, e informoi kryetarin Ahmetin se me qëllim afarizmit, punës më të suksesshme dhe arkëtimit sa më të shumtë të të hyrave, bordi i kësaj ndërmarrje se bashku me kryeshefin ekzekutiv kanë marrë vendimin që të zbriten pagat e punëtorëve duke përfshirë edhe pagën e kryeshefit ekzekutiv, me qëllim që të investohet edhe më tutje në zhvillimin e stacionit të autobusëve.