- 19 Dec 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, vizituan Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Prishtinës dhe Teatrin “Dodona”.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Prishtinës, Teuta Musa, e njoftoi kryetarin Ahmeti lidhur me aktivitetet e kësaj qendre, e cila ka për qëllim, ndër të tjera, të aktivizojë talentët që nga mosha e re. Ajo njëkohësisht i informoi edhe me muzikalin për fëmijë që do të realizohet për herë të parë në Prishtinë, “Shitësja e vogël e shkrepëseve” që bazohet në përrallën me të njëjtin titull nga Hans Kristian Andersen, në regji të Arian Plakut.
“Kjo shfaqje do të jetë një dhuratë për festat e fundvitit për fëmijë. Ky muzikal që bazohet në përrallën e përkthyer në shumë gjuhë të botës “Shitësja e vogël e shkrepëseve”, do të realizohet me personazhe të cilat do t’i realizojnë fëmijët tanë të talentuar që brenda një kohe shumë të shkurtër, falë talentit të tyre, janë bërë gati për të prezantuar këtë shfaqje muzikale, të dielën,e ndatë 21 dhjetor 2014, në ora 18:00”, tha Musa.
Pas takimit me punonjësit e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Prishtinës, kryetari Ahmeti dhe drejtoresha Bogujevci vizituan edhe Teatrin “Dodona”, me ç’rast nga drejtori i teatrit, Agron Shala dhe stafi, patën rastin të informohen lidhur me aktivitetet dhe nevojat e këtij teatri. Kryetari Ahmeti i njoftoi të pranishmit se në fillim të vitit 2015 planifikon që ta dërgojë për votim në Kuvendin Komunal statusin e teatrit, në mënyrë që të punohet në të ardhmen për sigurinë financiare të këtij teatri dhe pavarësinë sa më të madhe menaxheriale.