- 23 Dec 2014
Këto ditë Drejtuesit e Komunës së Prishtinës mbajtën dy Diskutime publike me banorë të Prishtinës në lagjet Veternik dhe Hajvali ku qenë prezent dhe banorët e fshatit Shashkovc.
Në Diskutimin publik të mbajtur në Lagjen Veternik morën pjesë Drejtori i Administratës Muhedin Nushi dhe Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia. Qëllimi i këtij takimi ishte përcaktimi i lokacionit për ndërtimin e ambulancës në këtë pjesë të kryeqytetit.
Pasi që kishte ankesa prej të pranishmëve rreth definimit të kufijve të bashkësive lokale dhe kërkesave që investimet e Komunës të orientohen në mënyrën që do t’i plotësonin kërkesat e tyre, Drejtori Muhedin Nushi, i njoftoi se gjatë vitit të ardhshëm pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re ku do të definohet saktë ndarja e territoreve të bashkësive lokale.
Ndërsa, Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se propozimi i tyre është vendi më i mirë i mundshëm, të cilën ata së bashku me drejtorin e urbanizmit e kanë identifikuar.
“Një parcelë që e kemi identifikua kohëve të fundit së bashku me drejtorin e urbanizmit dhe drejtorin e pronave, është një parcelë e cila megjithatë i plotëson kriteret për të cilat ne kemi ardhur këtu për të biseduar dhe për të cilat kemi biseduar edhe me kryetarin e kësaj bashkësi më herët. Përveç që i plotëson kushtet në aspektin teknik sepse duhet minimum 15 ari sipas standardeve për t'u ndërtuar një Qendër e mjekësisë familjare, është edhe më rrafsh dhe besoj që prapë gjendet në këtë pjesën ku ju përshtatet të gjithëve, pak a shumë qytetarëve të kësaj lagjeje”, tha Vitia.
Përveç ndërtimit ambulancës, e cila është paraparë në buxhetin e vitit 2015, u diskutua edhe lidhur me probleme të ndryshme, siç është vazhdimi i zgjerimit të ndriçimit publik, problemet me qentë endacak si dhe trajtimi i kanalizimeve. Të pranishmit kërkuan të informohen edhe lidhur me planet urbanistike, ndërsa ata u informuan se të gjitha informatat me lehtësi mund të gjinden në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe se është duke u punuar që këto të dhëna në të ardhmen të jenë publike edhe në një faqe të re të internetit që do t’iu ofrojë informacione në kohë reale për çdo zhvillim të ri në Komunën e Prishtinës.
Drejtuesit e Komunës njoftuan së shpejti do të organizojnë edhe një diskutim publike me Drejtorinë e Infrastrukturës Lokale, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Inspeksionit, me qëllim që qytetarët të informohen dhe të bashkëpunojnë me Komunën e Prishtinës në realizimin e planeve dhe projekteve të saj.
Ndërsa në Diskutimin publik mbajtur në lagjen e Hajvalisë morën pjesë Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi.
Kërkesat e të pranishmëve kryesisht ndërlidheshin me rrugët dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërsa u shprehën të kënaqur me ndriçimin publik. Të pranishmit u interesuan për informacione në lidhje me planin urbanistik të lagjes, si dhe kërkuan një lokacion të ri për varrezat, për çerdhen, si dhe lirimin e hapësirave publike të cilat janë prona komunale e që janë të uzurpuara, pastrimin e mbeturinave inerte, shërbimet stomatologjike që të ofrohen në dy turne, ndërtimin e një fushe sportive, subvencionim të bujqve. Ata u shprehën të kënaqur me fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e stadiumit “Hajvalia”.
Drejtori Hysen Durmishi tha në buxhetin e viti 2015 janë përfshirë shumë projekte që prekin nevojat e banorëve të zonës së Hajvalisë. Ai tha se janë trajtuar të gjitha kërkesat e banorëve brenda mundësive buxhetore.
“Disa projekte janë në përfundim e sipër, e disa të tjera janë në fazën e projektimit. Në Hajvali ka probleme të ndryshme. Një prej projekteve më të mëdha që do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm dhe që atë do të mundohemi ta bëjmë bashkë me ministritë përkatëse, është kolektori për të cilin është përfunduar faza e projektimit. Aty do të trajtohen ujërat e zeza dhe atmosferik për pjesën nga “Prishtina e re”, respektivisht “Pallati i Drejtësisë” dhe kalon kah “Koha Ditore” e deri tek "Graqanka". Ky projekt i tejkalon kufijtë administrativë të Komunës së Prishtinës, prandaj ne tashmë kemi filluar takimet me ministritë. Brenda këtyre ditëve do të kemi një takim me Komisionin Evropian, me Komunën e Graçanicës dhe në atë takim do ta prezantojmë projektin që kemi. Planifikojmë të hyjmë në bashkëfinancim me qëllim që gjatë vitit të ardhshëm ta përfundojmë rrugën për tek Pallati i drejtësisë, e sidomos trajtimin e kanalizimeve."
Projekti përfshin 25 kilometra kanalizim. Më shumë se 1 milion euro do të kushtojë vetëm ai i kanalizimit. Shumë rrugë nuk kemi mundur t’i shtrojmë për shkak se s'ka qenë e zgjidhur çështja e kanalizimeve, e cila duhet të zgjidhet si problem paraprakisht, në mënyrë që të shtrohen edhe rrugët”, tha Durmishi.
Ai tha se gjatë vitit 2014 ka pasur probleme me kompani të papërgjegjshme të cilat i kanë pasur kontratat e firmosura më parë, andaj u shpreh se në të ardhmen do të veprohet me sistem të parakualifikimit për t'u siguruar që do të kemi kompani serioze.
Ndërsa, drejtori Ardian Gashi i njoftoi të pranishmit së në kuadër të zgjerimit të ndriçimit, janë përfunduar 31 kilometra në tërë Komunën e Prishtinës. Gashi i njoftoi se tashmë në Kuvendin Komunal është bërë propozimi për përcaktimin e pikës ricikluese të mbeturinave inerte që si zonë ndodhet afër Hajvalisë dhe se janë përzgjedhur ekspertë që do ta bëjnë vlerësimin e ndotjes së ambientit. Gashi tha se planifikohet edhe mbjellja e fidanëve në zonën e Hajvalisë dhe se sipërfaqet e gjelbëruara mbeten prioritet i qeverisjes komunale. Po ashtu, ai i njoftoi të pranishmit se tashmë është proceduar edhe rregullorja që trajton mbajtjen e qenve dhe maceve, si dhe po ashtu, në shqetësimin e vendosjes së shtyllave nga ana e KEDS, Gashi tha se Komuna e Prishtinës i ka bërë vërejtje që më mos ta vendosë asnjë shtyllë pa lejen e saj.
Drejtori Arben Vitia i njoftoi të pranishmit se në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare do të aktivizohen dentistët në turnin e dytë.
“Kemi marrë vendim që secila Qendër e Mjekësisë Familjare ta ketë të obliguar turnin e dytë të stomatologëve që secili qytetarë ta ketë sa më afër shtëpisë shërbimet për dhëmbë”, tha Vitia, i cili tha se së shpejti se bashkë me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të nisin realizimin e projektit “Sporti si shëndet”.
Të pranishëm në këtë diskutim publik ishin edhe banorë të fshatit Shashkovc, të cilët pos që shtruan kërkesat e tyre, po ashtu kërkuan që të mbahet një diskutim publik edhe në fshatin e tyre. Autoritet komunale premtuan se në fillim të vitit të ardhshëm do të organizojnë një tubim të ngjashëm në këtë fshat me shtrirje në dy kilometra katrorë.