Aksion në Lagjen "Bregu i Diellit"

- 24 Dec 2014

Në lagjen “Bregu i Diellit”, në pjesën e sipërme të rrugës “B” ka filluar largimi i objekteve të montuara, si dhe i disa ndërtimeve të përkohshme.

Drejtoria e Inspekcionit, pas shqyrtimit të ankesave të banorëve të kësaj lagjeje, ka filluar largimin e objekteve që ishin të parapara të shërbenin në funksion të tregut.

“Në pjesën e sipërme të kësaj rrugë kur më parë ka qenë lokacioni i tregut kanë mbetur disa objekte montazh, të cilat me vendim të inspektoratit sot po largohen dhe po rrënohen ato ndërtime të përkohshme që janë në hapësirën publike. Kjo po bëhet me kërkesën e banorëve, pasi që ky lokacion ka shërbyer si strehë për keqbërës të ndryshëm dhe ka paraqitur rrezik për shëndetin e fëmijëve në këtë lokacion”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Ky aktivitet pritet të përfundojë brenda ditës, ndërsa kjo hapësirë është paraparë të jetë në shërbim të banorëve të kësaj lagjeje, fillimisht si vendparkim provizor. Në të ardhmen planifikohet që kjo pjesë të shndërrohet në hapësirë të gjelbër, respektivisht pritet që të ndërtohet një park që do ta ketë edhe këndin e lojërave për fëmijë.